Në një intervistë për Ora News, ish-deputeti Gazmend Oketa tha se ishte i bindur që Rama do t’i shkonte deri në fund ndryshimeve kushtetuese.

Oketa shprehet se Rama nuk bën llogari për interesin e shtetit, por në interesin personal.

Për Oketën parlamenti ëhstë legjitim, pasi nuk ka asnjë vend në BE apo OSBE që ka një parlament me 140 vende dhe 122 deputetë.

Oketa: Isha i bindur që Rama do t’i shkonte deri në fund ndryshimeve kushtetuese. Ky është një interes personal i Ramës për të marrë një mandat të tretë. 30 korriku i vitit të kaluar u mbajtën zgjedhje moniste që treguan se përballë interesit të tij dhe kokëfortësisë së tij, Rama nuk bën llogari në interes të shtetit shqiptar. Ai të vazhdojë rrugën e tij, por në momentin e parë që do t’u jepet shqiptarëve ai nuk do të jetë më kryeministër i vendit.

Rama ka qenë aktor i së paku 3 ndryshimeve kushtetuese. I pari ishte në vitin 2008. Unë kam thënë atje që ishte një veshje me kalkulime pushteti. Më pas janë ndryshimet kushtetuese 4 vite më parë që u miratuan me 140 vota. Ndërsa sot Rama flet për një parlament legjitim, por për mendimin tim parlamenti erdhi me votat e Niçes në Shijak. Ai erdhi në pushtet me votat e krimit. Më gjeni një parlament në Evropë apo të OSBE-së, që ka një parlament me 140 vende dhe ka 122 deputetë.

Sipas Oketës, qytetarët kërkojnë një sistem mazhoritar që ta dinë se cili është deputeti që do t’i përfaqësojë.

Oketa: Qytetarët, nga të gjitha kontaktet që kam kërkojnë sistem mazhoritar, që të dinë kush është deputeti, çfarë përfaqëson dhe çfarë interesi mbron. Rama për t’i shkëputur qytetarët nga të gjitha shqetësimet reale, krijon një tension politik me opozitën. Në një situatë të tillë vëmendja duhet të bazohej te ekonomia dhe te pandemia. Unë mendoj se pasojat vendit nuk i vijnë vetëm nga pandemia dhe tërmeti, por nga keqqeverisja. Për PPP gjejnë fonde kollaj apo për rrugë. Borxhi e ka kaluar 80% të PBB.

Oketa shtoi se përditë po dalin skandale dhe se hetimet e dosjeve të vjedhjes së zgjedhjeve nuk duhet të mbyllen, pasi kanë dalë ministra në përgjime.

Oketa: Këtu përditë do dalin skandale. Presin se deri ku do të shkojnë hetimet për dosjet zgjedhore. Do të ishte qesharake nëse këto hetime do të mbylleshin vetëm me këto komisionerët që kanë votuar në emër të babës, kur në përgjime të dalin ministra e flasin për tërmet. Në Dibër del një personazh anonim që i thotë kryeministrit, isha te Babëloku. Ke kreun e bashkisë Lezhë që kërcënonte arsimtarët që nëse nuk votonin PS-në do t’i hiqte nga puna. Nëse kjo bëhet për 4 komisionerë, dy prej të cilëve kanë vdekur, kjo do të ishte një tallje për shqiptarët dhe reformën në drejtësi. Duhet të kemi parasysh që kur Rama të mos jetë më, do të kemi një mal me borxhe.  Të ardhurat e qeverisë së re, një pjesë e konsiderueshme, do të shkojnë për borxhet që do të lërë Rama.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti A. Kurti