10 milionë persona pritet të konfirmohen të infektuar brenda ditëve që vijnë. OBSH-ja kërkon që në mungesë të vaksinës, pandemia të luftohet me mjetet në dispozicion. Ekonomia globale, ndërkohë, për pasojë do vuajë një recesion të thellë.

Epidemia e koronavirusit që shpërtheu në muajin janar parashikohet javën e ardhshme që të ketë lënë më shumë se 10 milionë persona të infektuar anembanë globit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se trendi i infeksioneve është dhjetërafishuar pas periudhës fillestare, duke u kushtuar jetën mbi 480 mijë njerëzve, me bilancin më tragjik në Shtetet e Bashkuara, Brazili, Britania, Italia dhe Franca.

Sipas kreut të OBSH-së, Tedros Adanom, mendohet se pandemia në Amerikën Veriore dhe Jugore është ende në qarkullim dhe kulmin pritet ta prekë gjatë javëve në vijim.

Në SHBA, disa shtete raportuan të mërkurën rritje dyshifrore të të diagnostikuarve me kovid apo një shifër rekord prej 39 mijë rastesh brenda ditës.

“Ky është një paralajmërim serioz se teksa vijojmë kërkimet për vaksina dhe terapi, kemi përgjegjësi urgjente për të bërë ç’të mundemi me mjetet në dispozicion, që ta ndalim transmetimin dhe të shpëtojmë jetë njerëzish.”

OBSH-ja vlerëson se me ritmin aktual prej gati 1 milion rastesh të reja në javë, botës i nevojiten 620 mijë metër kub oksigjen në ditë për t’u ardhur në ndihmë pacientëve më të rënduar.

Mungesat e oksigjenit mjekësor po i vënë tani shumë shtete para vështirësive, kryesisht ato më të varfrat në Amerikën Latine, që nuk po arrijnë ta menaxhojnë dot shpërthimin e kovidit të ri.

Ndërkohë shkencëtarët në Britani kanë nisur testimin te njerëzit të vaksinave imunitare.

Pas fazës së parë me 300 vullnetarë që nisi të mërkurën, 6 mijë të tjerë do i nënshtrohen testimit në vjeshtë.

Vaksina e krijuar nga universiteti publik “Imperial College” në Londër përdor fibra të modifikuara gjenetike si ato të virusit për ta sulmuar këtë të fundit dhe për të rritur imunitetin e organizmit.

Infeksioni i koronavirusit vazhdon të përhapet prej muajsh pa kursyer asnjë kontinent të vetëm.

Pasojat e pandemisë në ekonomi për këtë vit janë të pashmangshme, dhe sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia botërore gjatë 2020-ës planifikohet të tkurret me 4,9 për qind apo 2 për qind më ulët sesa projeksionet për recesion të publikuara në muajin prill.

Ndër rajonet kryesore, aktiviteti ekonomik në SHBA pritet të reduktohet me 8 për qind, eurozona me 10,2 për qind, Japonia minus 5,8 për qind, ndërkohë që Kina mund të jetë ekonomia e vetme e madhe që mund të rritet me gati 1 për qind nga viti në vit në 2020-ën.