Testi i cili do të tregojë nëse je i infektuar me Covid-19 brenda 30 minutash është miratuar nga OBSH-ja.

Ky test pritet të prodhohet së shpejti në sasi të mëdha dhe do u shpërndahet të gjithë vendeve të varfëra me një kosto të ulët, deri në 5 dollarë për një prej tyre.

Në pamje të parë është mjaft i ngjashëm me testet të cilët zbulojnë shtatzënitë dhe do të përdoret dhe lexohet nga punonjësit e shëndetësisë.

Testi është zhvilluar nga kompania koreano-jugore SD BioSensor.

Zbulimi i këtij testi pritet të lehtësojë shumë punën e stafeve mjekësore në luftën kundër pandemisë pasi jo të gjitha vendet kanë staf të mjaftueshëm për të përballuar fluksin e tamponëve në ditë.

Testet e shpejta dhe të lehta, por me cilësi të lartë do të lejojnë kontrollimin masiv të punonjësve shëndetësorë, të cilët po humbasin jetën në vendet me të ardhura të ulëta.

Gjermania deri tani ka porositur 20 milionë test, gjithashtu pritet që Franca e Zvicra të bëjnë porositë e tyre së shpejti.

OBSH po shikon mundësinë për të miratuar dhe një test tjetër të shpejtë, i cili është në fazë testimi. Ai po zhvillohet nga kompania amerikane Abbott.