Pa një sistem shëndetësor të fortë, shumë vende të botës, pa përjashtuar as Shqipërinë, do mbingarkohen dhe pushojnë së funksionari prej morisë së rasteve me koronavirus. Kreu i OBSH-së kërkon koordinim mes shteteve për forcimin e sektorit kyç në këtë periudhë pandemie.

Drejtuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adanom, thekson se pandemia e kovidit-19 kërkon të bëhen investime madhore në sistemin shëndetësor.

SHBA-ja, Brazili dhe India kanë aktualisht gati gjysmën e të gjitha rasteve të konfirmuara në botë.

Nga mbi 19 milionë të infektuar që numërohen në mbarë globin, apo 18 milion raste më shumë se në datën 1 prill, rreth 715 mijë nuk i kanë mbijetuar dot sëmundjes infektive.

“Pandemia nuk ka kursyer asnjë vend me të ardhura të ulëta, të mesme apo të larta. Dy Amerikat mbeten epiqendra aktuale e virusit, por ekzistenca e tij po vë në rrezik jetët kudo. Zgjidhja më e mirë është t’i bindemi shkencës dhe ta mposhtim së bashku këtë pandemi.”

OBSH-ja apelon për përpjekje të bashkërenduara për të forcuar sistemet shëndetësore.

Për rastin e Shqipërisë, edhe OKB-ja në një raport të fundit shprehu shqetësim për investimet e pakta që qeveria shqiptare parashikon për këtë sektor, nga më të ulëtat ndër vendet e rajonit.

Pa mbështetjen e duhur, sistemi shqiptar mund të pushojë së funksionari prej mbingarkesës nga pandemia e kovidit-19.

“Shëndeti shihet shpesh si një kosto, por pandemia e parë e koronavirusit në histori na ka treguar sa kritik është investimi në sigurinë kombëtare dhe në sigurinë e shëndetit kolektiv. OBSH-ja i jep prioritetin më të lartë mbështetjes së çdo vendi, me të ardhura të larta a të ulëta, për të ngritur sisteme shëndetësore cilësore për të gjithë.”

Pas vatrave fillestare në Evropë, më pas në Amerikë dhe në Rusi, vala infektuese vijon të godasë edhe vendet afrikane, që tani konfirmojnë më shumë se 1 milion raste në total.

Edhe në Indi, bilanci i bartësve të koronavirusit u rrit të premten në 2 milionë dhe ai i jetëve të humbura në 40 mijë.

Prodhuesi më i madh i vaksinave në botë, me seli në një nga qytetet indiane, ka rritur kapacitetet për të prodhuar deri 1 miliardë doza të vaksinës së zhvilluar më ndihmën e Universitetit të Oksfordit, tashmë në fazën e fundit të testimeve klinike në Brazil dhe në Afrikën e Jugut.

Shkencëtarët shpresojnë ta kenë gati vaksinën për përdorim urgjentet brenda muajit tetor.