Nurellari, Soko dhe Mertiri për aeroportin: Qeveria ti thërrasë trurit, kontrollorët s'mund të trajtohen si punonjës fasonerie

Nurellari, Soko dhe Mertiri për aeroportin: Qeveria ti thërrasë

Bllokimi i fluturimeve në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit ishte në fokus të diskutimit  në një debat të zhvilluar në Ora News me Adri Nurellarin, Ergys Mertirin dhe Pano Sokon.

Ata drejtojnë gishtin nga qeveria, që sipas tyre po vepron me arrogancë dhe po fut duart në një kompani të huaj që nuk ka lidhje me buxhetin e shtetit.

Apeli i tyre është që kryeministri të ulet sa më parë në dialog me kontrollorë në mënyrë që fluturimet të vijojnë normalisht.

Adri Nurellari: E shikoj si manifestim të radhës të arrogancës së qeverisë e cila merr vendime në mënyrë arbitrare pa u konsultuar dhe këtë e shohim në çdo sferë të organizmit të shtetit.Ministria e Transportit ndërmerr hapa radikalë, është papërgjegjshmëri dhe pasojë e përqëndrimit të pushtetit në një dorë. Nuk bëhet fjalë për njërëz dosido por njerëz shumë të kualifikuar, për të cilët është investuar shumë, puna e tyre është shumë delikate. Janë edhe vështirë të zëvendësueshëm. Në një shtet normal duhet të merreshin në konsideratë, jo të viheshin para një fakti të kryer. Përbën një rrezik, është ura e vetme ajrore që ka Shqipëria, ndërprerja ka pasoja të gjithanshme nga posta, vaksinat por edhe në aspektin e imazhit të vendit.

Ergys Mertiri: Tregon nivelin si funksionon shteti që nuk njeh ligj dhe rregulla por vullnetin e atyre që qeverisin. I teket njërit tani, shkon dhe heq njerëz nga puna, ul rrogat pa pyetur për kontrata. Kur reagon ky e kërcënon me ndjekje penale dhe ushtri. Sebepi që nxjerrin këta është se aeroporti është objekt i sigurisë së lartë.Nuk jam jurist por kudo në botë ka aeroporte ndërkombëtare, në Itali që ka rastisur të ndesh në greva aeroportesh dhe janë anuluar fluturimet. Për tu vjedhur paratë nuk ishte objekt i sigurisë së veçantë, nuk ruhej si duhet. Për të penguar grevat e punonjësve që prehen në besë nga shteti këtu dilka objekt i sigurisë së veçantë dhe u çokan në prokurori grevistët që po ushtrojnë një të drejtë legjitime për të reaguar.

Pano Soko:  Rama do të dojë ta sfumojë atë që po ndodh por ajo që po ndodh është një shkelje flagrante e autonomisë financiare që ka ky institucion. Albkontroll nuk ka lidhje me buxhetin e shtetit, të gjithë aktivitetin ekonomik e ka të lidhur me Qendrën e Kontrollit të Fluturimeve Ajrore në Bruksel. Vetëm menaxhimi administrativ i takon shtetit shqiptar. Jam i bindur që nuk ka qenë një specialist ai që ka shkurtuar rrogat, ka qenë një militant partie, partitaxhi ai që ka dhënë atë urdhër. Ajo nuk është kompani shqiptare, nuk janë paratë e taksapaguesve, paguhen nga çdo avion që kalon në Republikën e Shqipërisë. Është të vësh duart në kokë, nuk e analizoj dot. Ajo kompani e huaj, ky shkon dhe fut duart. Është një kompani shumë delikate dhe shpresoj shumë që Balluku që ka qenë drejtoreshë aty, duhet ta kuptojë shumë mirë rëndësinë e institucionit dhe trajtimi sikur janë punëtorë të fasonerisë me gjithë respektin apo ekonomist i një komopanie siç jam unë, nuk mund të trajtohen ashtu ata njerëz. Shpresoj shumë që këta të ulen në gjuhën e dialogut, fluturimet në Rinas të nisin sa më shpejt. Qeveria ti thërrasë trurit, të lërë PD dhe opozitën, zgjedhjet, të ulet me ata nejrëz dhe të gjejë gjuhën e kompromisit. Ne si qytetarët duam që fluturimet të vazhdojnë normalisht, kryeministri e ka për detyrë ta sigurojë.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana

Vendi Lajme Aktualitet Intervista në Ora News protesta e albkontroll

EMISIONET