Politologu, Adri Nurellari, nuk është aspak i surprizuar nga lëvizjet e fundit të kryesocialistit Rama, siç ishte afrimi i zonjës Çomo dhe Luljeta Bozos.

I ftuar në Rtv Ora, ai thotë se Rama pasi largoi zërat kundër e ka vënë në rresht partinë dhe askush nuk bën naze.

Nurellari: Rama ja ka dalë të vendosë në rresht partinë dhe askush nuk bën naze dhe nuk i kundërvihet. I ka larguar ata që kanë pasur kurajon ti kundërvihen. Fakti që po merr dy persona absait në momentin e fundit është një tjetër formë për tu treguar se nuk pyet asnjë nga strukturat dhe do të vendosë një listë anketash.

Nga ndërkombëtarët ka pasur thirrje të vazhdueshme për lista të pastra.

Nurellari thotë se qeveria është më nevojtare për thithjen e elementëve nga bota e krimit për shkak të mungesës së popullaritetit.

Nurellari: Është e qartë se qeveria është më nevojtare për të riparuar mungesën e popullaritetit me forma alternative të bërjes politikë, me metoda parapolitike, duke rekrutuar individë që vijnë edhe nga bota e dyshimtë e krimit dhe duke u përjekur ti mobilizojë për të vjedhur vota, për të bërë presion, për të blerë vota. E kemi parë dhe në të kaluarën. Një nga arritjet më të mëdha të opozitës në këto vite konfliktuale politike ka qenë nisma e dekriminalizimit. Parlamenti i kaluar u pastrua nga shumë individë që kishin një të kaluar kriminale.

Sipas tij, në këto zgjedhje bota e krimit do të vijë me delegim pushteti.

Nurellari: Ajo që po vihet re është se po vënë familjarët e tyre. Tani janë bërë partnerë dhe do të shohim se do të vendosin njerëz të afërt të familjes, fëmijë, nipër, në mënyrë që të kenë një lloj dore dhe vendi në jetën politike. Nuk ka më të rrezikshme në demokraci sesa kur krimi bashkëpunon me politikën.

Shpresën që kjo të mos ndodhë nuk e sheh as te elektorati dhe as ndërkombëtarët.

Nurellari: Nuk shoh shpresë të madhe te reagimi i elektoratit. Gatishmëria për të shitur të ardhmen për hir të një leverdie të momentit shtohet. Keqeverisja e kombinuar me pandeminë dhe problemet ekonomike i ka bërë njerëzit më të brishtë dhe më lehtë të dorëzueshëm dhe të shantazhueshëm.

Shpresoj të ketë presion më të madh nga ndërkombëtarët edhe pse e kemi parë që Kryeministri nuk pyet shumë kur vjen puna te mbijetesa e tij personale politike.

Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online Besjana Kuçana