Policia e Fierit ka konstatuar 2 lokale nate të hapura dhe me klientë, që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ.

Këto subjekte nuk kishin ndërmarrë masa të veçanta dhe kufizime për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

”Në vijim të kontrolleve në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020, për subjektet apo individët që zhvillojnë aktivitete në ambiente të mbyllura, duke mos zbatuar urdhrin e organit kompetent për mbylljen e tyre, si dhe në zbatim të urdhrit Nr. 351 të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, datë 29.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, gjatë mesnatës, kanë konstatuar 2 lokale nate të hapura dhe me klientë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronari i njërit prej lokaleve, shtetasi Z. T., i cili ka përsëritur shkeljen, pasi gjatë kontrollit të ushtruar para disa ditësh është gjobitur me masë administrative 1.000.000 lekë.

Ndërsa për pronarin e lokalit tjetër, shtetasin E. K., u vendos masë administrative 1.000.000 lekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.