Ralf Gjoni, deputeti i opozitës parlamentare që mandatin në 2017 e mori nën siglën e LSI, nuk do të garojë në këto zgjedhje parlamentare.

Për “PolitikOn” në Rtv Ora ai tha se nuk mund të garojë me këtë sistem zgjedhor.

Sipas tij, këto nuk janë zgjedhje nga populli por përzgjedhje personale nga kryetarët e partive.

Ralf Gjoni:  Nuk jam tërhequr, kam marrë një vedim për të mos kandiduar në këtë sistem, për të ruajtur atë pozicion moral që kam mbajtur gjatë këtyre dy vite e gjysmë në parlament. Ne luftuam fort për ndryshimin e sistemit zgjedhor ku unë kam krenarinë të kem qenë  një prej propozuesve zyrtarë të një iniciative ligjore për të ndryshuar sistemin dhe për hapjen e listave. U hodh vetëm hapi i parë.

Mënyra sesi u bënë ndryshimet kushtetuese ne arritëm një fitore të parë. Listat kushtetueshmërisht janë të hapura por shqiptarët janë përsëri peng i listave të kryetarëve. Shih sa qesharake është situata sot. Po shkojmë në minutën e fundit të orës së fundit të ditës së fundit dhe lajmet në media janë zbulohet, zbardhet, u gjet thesari i fundit, hiqet ky emër, vendoset ky emër.

Nuk ka as garë të brendshme dhe as konsultim publik për emrat që do të garojnë, cilësinë e kandidatëve.Këto nuk janë zgjedhje nga populli në 25 prill këto janë përzgjedhje personale nga kryetarët e partive. Renditja nuk është hartuar as mbi bazën e logjikës së listës së hapur. Për herë të parë zgjedhësit shqiptarë do të kenë mundësi të zgjedhin një numër apo emër nga lista e kandidatëve por lista nuk është ndërtuar me këtë bazë logjike.

Në një sistem ku numërimi është ende në duart e komisionerëve partiakë dhe ne e dimë se çfarë do të thotë numërim në Shqipëri, unë e ndjej veten jo mjaftueshëm të fortë të kem besim te Edi Rama apo Lul Basha të numërojnë votat e mia dhe nuk preferoj që të kthehem në një presje dhjetore për Edi Ramën, preferoj të qëndroj pas në moralitein tim që kam ruajtur deri tani. Koha do të tregojë se kush ka pasur të drejtë.