Me lotët që nuk i pushojnë, këmbët që me zor ecin dhe zëri që i dridhet janë kthyer në “lagjen 17” në zonën e ish Kënetës në Durrës.

Ka vetëm rrënoja dhe kujtime në tokën ku deri më 26 nëntor 2019 ishte ngritur godina katër katëshe.

Familjarë dhe të afërm kanë shkuar pikërisht aty ku ishte banesa për të kujtuar 8 viktimat.

Ora News sjell dëshminë e Blerim Lalës që humbi në tragjedi dy vëllezërit dhe familjet e tyre, perfshi 4 fëmijë.

“Nuk ka fjalë, më kujtohen të gjitha nuk e di nuk kam fjalë. Viktimat janë vëllezërit e mi me familjet.”

Ku ndodheshit në momentin kur ndodhi tragjedia?

Ndodhesha në Itali

Si e përjetuat njoftimin për ngjarjen?

Si mos më keq,më ka marr vëllai në telefon dhe më ka lajmëruar.

Si ka qenë ky vit për familjen Lala?

Vit i trishtë  shumë i trishtë,mundohemi ta harrojmë por nuk e harrojmë dot dhe s kemi për ta harruar  asnjëherë.

Nuk do rikthehemi

Trualli ku ngrihej shtëpia e dy vellezëve Lala ka gjasa të mbetet bosh. Rama dhe xhaxhai i tij Alberti me të cilin fatin e keq të humbjes së të gjithë familjes nuk do të rikthehen për të hedhur themele.

Vëllai tjetër Blerimi, me zërin që i dridhet thotë se kujtimet nuk i lejojnë të rikthehen aty.
A mendoni se do të riktheheni në Durrës dhe të keni bazën e të ndërtoni këtu?

Blerim Lala: Jo në Durrës jo, na ka ndihmuar qeveria dhe jemi vendosur në Tiranë por këtu nuk do kthehesha sepse kemi kujtime shumë të hidhura dhe po të rikthehemi këtu nuk mund të jetojmë këtu sepse do na del para shkolla e fëmijëve.

I mbijetuari

Që nga momenti kur u nxorr i gjallë nga rrënojat e shtëpisë që i mori 8 anëtarë të familjes, Ramë Lala nuk është kthyer kurrë më në zonën e kënetës të Durrësit.

Ai jeton në Itali me të afërm të tjerë të cilët thonë se kujdesen  të mos ia rikujtojnë traumën psikologjike dhe fatin e zi që u solli mëngjesi i 26 nëntorit 2019

Blerim Lala: Nga gjendja shëndetësore është shumë mirë, por ka trauma psikologjike por nga shëndeti është mire. Ne nuk e kemi ngacmuar asnjëherë, ai jeton me mua në Itali por nuk ja kujtojmë asnjëherë ngjarjen dhe se çfarë ka përjetuar. Mundohemi të mos  ja përmendim asnjeherë.

Ramiz Shehu, njeriu që ndërtoi shtëpinë e tragjedisë u dërgua për gjykim me akuzën e vrasjes nga Pakujdesia, për shkak të abuzimit me cilësinë e materialeve dhe standardet e ndërtimit.

Viktimat ne familjen Lala

Sadete Lala, 79 vjece, është nxjerrë e pajetë, nëna e tre djemve që jetonin në të njëjtën banesë, e moshuara.
Ilir Lala, 52 vjec (ishte i paralizuar prej vitesh) është nxjerrë i pajetë, ishte beqar, i biri i Sadetes.
Griselda Lala, 19 vjeçe
Marjeta Lala, 31 vjeçe
Emilio Lala
Amelia Lala
Binjaket Dionis e Dionisa Lala
, 2 vjeç femijet e Marjetes.