Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku Ardian Dvorani, ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi ishte mes 12 kampionëve për luftën kundër korrupsionit.

Rama shkroi në Twitter se ky vlerësim është një inkurajim i jashtëzakonshëm për ata që luftojën për Reformën në Drejtësi, teksa shton se Dvorani është goditur pasi nuk iu dorëzua presionit të së keqes.

Vlerësimi i lartë i Sekretarit të ri të Shtetit për Ardian Dvoranin,është një inkurajim i jashtëzakonshëm për të gjithë ata që luftojnë për Reformën në Drejtësi në këtë fazë kacafytjeje me të Keqen ku ka hyrë reforma dhe një riafirmim i angazhimit të SHBA në luftën për Reformën!

Ardian Dvorani u godit harbutërisht pikërisht se nuk iu dorëzua presionit të së Keqes dhe ky vlerësim rrezatues e shkrin krejt atë baltë imoraliteti politik e mediatik, që u hodh pa kursim mbi të, duke provuar edhe njëherë se e drejta vonon po nuk harron”, shkruan Rama.

Sakaq e menjëhershme ka qenë edhe përgjigja nga Presidenca, ku zëdhënësi i Ilir Metës, Tedi Blushi shkruan se Ramaforma “ngordh” më 25 prill.

“O faqezi, Ramaforma jote ngordh më 25 prill me 3 milion shpulla dhe shkelma të shqiptarëve, kundër teje, oligarkëve dhe diplomatëve të korruptuar deri në palcë. SHQIPËRIA E PARA DHE E PAMPOSHTUR”, shkruan Blushi.

Departamenti i Shtetit nderoi të martën individë të vendeve të ndryshme për luftën kundër korrupsionit, mes së cilëve edhe gjykatësin shqiptar Ardian Dvorani.

Në motivacionin e Departamentit të Shtetit për nderimin e zotit Dvorani, thuhet se ai është “një mbështetës kryesor i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë.”

“Gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të reduktuar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuan në vendimin e BE-së në mars për të hapur negociatat për pranimin e Shqipërisë”, thotë Departamenti i Shtetit.

Po ashtu në motivacion thuhet se zoti Dvorani ishte një nga anëtarët kryesorë të grupit të ekspertëve që zhvilluan vizionin dhe dispozitat ligjore për reformën në drejtësi të Shqipërisë, duke ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e institucioneve gjyqësore të reja të Shqipërisë, pas ndryshimeve të mëdha kushtetuese në sektorin e drejtësisë në 2016.