Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari, në mbyllje të takimit të rradhës të Këshillit Politik, doli para mediave me një propozim të ri.

Ajo u ka kërkuar kolegëve të saj në opozitë që të braktisin të gjitha punimet në Kuvend, derisa mazhoranca të pranojë lista 100% të hapura.

Sipas saj, PS ka propozuar një draft hileqar ndërsa shtoi se, opozita parlamentare nuk do të bëjë asnjë centimetër pas në kërkesat e saj.

“Nuk mund të negociojmë me këtë gjë, nuk do të bëjmë asnjë centimetër pas, sepse ka të bëjë me sovranitetin e popullit. Nuk ka centimetër pas. I ftoj kolegët e opozitës parlamentare që ne të refuzojmë të shkojmë në çdo mbledhje, derisa të pranohet kërkesa jonë për hapjen 100% të listave. Beteja e tyre është për një pushtet të tyre personal, ndërsa beteja jonë është për një të ardhme më të mirë”, tha ndër të tjera Hajdari.