Një aksident automobilistik është regjistruar  paraditen e sotme (26 korrik), në aksin rrugor Korçë-Pogradec.

Një mjet tip ‘Audi’ është përplasur me një mjet tip ‘Benz’, në vendin e quajtur ”Lapidari i Blacës”.

Të plagosur kanë mbetur 4 shtetas të huaj të cilët ndodheshin në mjetin tip ‘Audi’, i cili drejtohej nga një 19-vjeçar.

”Më datë 26.07.2020, rreth orës 08:45, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, tek vendi i quajtur “Lapidari i Blacës”, janë përplasur mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin M. Ç., rreth 19 vjeç, banues në Durrës, me një mjet tjetër furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin S. J., rreth 35 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec, ku për pasojë janë dëmtuar lehtë 4 shtetas të huaj të cilët udhëtonin me mjetin tip “Audi”, të cilët morën ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Pogradecit”, informon policia.

Me mjetin tip “Audi”, po transportoheshin 7 shtetas të huaj, dhe drejtuesi nuk i ka ndaluar patrullës së Policisë Rrugore, Policisë Kufitare dhe shërbimeve të Frontex-it, të cilët u vunë në ndjekje të tij.

Me dy drejtuesit e mjeteve po kryen veprimet e mëtejshme proceduriale.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit si edhe rrethanave të ngjarjes.