Nuk duam më heronj dhe dëshmorë të atdheut!

Nuk duam më heronj dhe dëshmorë të atdheut!

Arjan Sala, 33-vjeçari që vdiq në një zjarr për të shpëtuar njerëz të tjerë, sot është Dëshmor i Atdheut.

Nuk e duam Dëshmorin e Atdheut, duam Arjanin gjallë dhe shërbim efikas zjarrfikësish.

Nuk e duam heroin, por duam kushte të mira në punë që tu mos u rrezikohet jeta punonjësve.

Nuk e duam dëshmor, por duam ndërtesa sipas standardeve të sigurisë dhe jo ndërtime pa kriter.

Nuk duam më rikonstruksione ministrish e mobile luksoze për to, as tendera e koncesione hajdutësh, por duam rroga të larta, veshje, mjete teknike për zjarrfikësit, policët, minatorët mjekët, mësuesit dhe gjithë punëtorët e këtij vendi.

Nuk duam rrugë me emrin Klodian Rasha, as para për familjen e tij, duam drejtësi për ata si Klodiani dhe polici që nuk të vret pabesisht natën.

Nuk duam homazhe për Ardit Gjoklajn, duam që moshatarët e Arditit të mos punojnë dhe të mos vriten për një kothere bukë.

Nuk duam heronj si ata të 21 janarit, Gërdecit, Covidit, tërmetit, të Bulqizës, të vdekur në ndërtim, apo gjetkë në punë, duam heronj dhe dëshmorë të atdheut nga ata që vdesin në mbrojtje të këtij të fundit, jo nga pakujdesia, neglizhenca aferat, shtypja apo nga vrasja direkte!

Nuk e duam as shtirjen e shtetit që mbulon gjakun me emra rrugët, me tituj pa vlerë, apo shuma parash, duam shtetin që mbron jetën e njeriun.

As hipokrizinë e shumicës së njerëzve nuk e duam që reagojnë sa për të reaguar ose për të bërë postimin e radhës në rrjetet sociale.

Jo, duam mbështetje për punëtorët që të mos shtypen, të mos shfrytëzohen dhe të mos vdesin kështu!

Duam sindikata dhe njeriu të shihet si qenie njerëzore, jo si objekt a makineri pune, jeta e të cilit nuk ka vlerë.

Reagimet secili t'i marrë e t'i fusë aty ku gjejnë vend, sepse për pak ditë do ta harrojmë këtë histori dhe do të kalojmë te Përputhen, politika bajate, apo te skandali i radhës!

Ka mijëra punëtorë e njerëz në vend që nesër mund të jenë si Klodiani, Arditi dhe Arjani, nuk i duam heronj apo dëshmorë të atdheut, i duam gjallë!

Lajme Opinione heronj deshmore te atdheut arjan sala

EMISIONET