Njihuni me babë e bir që vranë dhe groposën 23 vjeçaren, mohojnë akuzën por gjykata i lë në burg

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg  Faik dhe Shkelzen Bucin,  babë e bir, të cilët akuzohen se vranë dhe groposën  8 vite me parë  23- vjeçaren Eglantina Buci. Ngjarja është mbajtur e fshehur  deri në dëshminë e një të penduari i afërt i familjes,  i cili ka treguar krimin e rëndë.   

Këta janë Faik dhe Shkelzen Buci, babë e bir, (në foto) të akuzuar nga prokuroria për vrasjen e  23-vjeçares Eglantina Buci, ngjarje e ndodhur në  vitin 2012.

Të qetë në dukje para trupit gjykues, ata e kanë mohuar vrasjen e 23- vjeçares, duke pohuar se nuk kanë lidhje me ngjarjen.

Faik Buci, i cili është i ati i viktimës ka deklaruar se me vajzën nuk kishte kontakte që prej vitit 2010, ndërsa nuk ishte interesuar më për vendodhjen e saj pasi e dinte se ajo ushtronte prostitucion ne Turqi dhe Itali.

Ai ka thënë gjithashtu se vajza ka qenë e fejuar me një djalë nga Fushë Kruja.  

Faik dhe Shkelzen Buci, babë e bir, në gjykatë

Avokati që mbronte dy te pandehurit tha pas daljes nga gjykata se provat e prokurorisë janë të errëta, ndërsa e vetmja gjë që i implikonte të pandehurit  ishte një dëshmi e  bërë në një tjetër proces nga një i penduar, i afërm i familjes.

"Personat vetë nuk e pranojnë që është kryer krimi prej tyre. Hetimi në vazhdimësi do të zbardhë të vërtetën nëse këta persona janë fajtorë apo jo. Provat janë të errëta, dyshime të bazuar mbi një dëshmi që është dhënë në një gjykim tjetër."

Avokati tha se eshtrave të gjetura në Malin me Gropa i është bërë analiza e AND-së, e cila përputhet me ato të nënës biologjike të vajzës.

"Nga një gjykim i mëparshëm që ka bërë organi i procedurës ka konstatuar nga ADN se ato eshtra mund të jenë të Eglantina Bucit."

Me gjithë pretendimet e avokatit dhe mohimit të akuzës nga ana e të pandehurve, gjykata la në fuqi për babë e bir masën e sigurisë "arrest me burg" deri në perfundim të hetimeve.

E reja dyshohet se është dërguar në Malin me Gropa nga dy të afërmit e saj, ku më pas është vrarë dhe groposur.

Vëllai  i 23-vjeçares, Shkëlzen Buci, është duke vuajtur një tjetër dënim ne burgun e Fierit për një ngjarje të ndodhur në vitin 2017,   ndërsa zbardhja e ngjarjes së ndodhur 8 vite më parë u bë e mundur nga dëshmia e një personi në një tjetër proces, i njohur i familjes, i cili ka qenë në dijeni të ngjarjes.

Vendi Lajme vrasje Kronike eglantina buci shkelzen buci faik buci

EMISIONET