Njeriu, katastrofë për kafshët

Njeriu, katastrofë për kafshët

Bota ka humbur gati dy të tretën e tërësisë së kafshëve të egra, tre të katërtat e tokës është degraduar dhe 40 për qind e oqeaneve janë ndotur vetëm për shkak të njeriut në këto 50 vite.

Kjo katastrofë natyrore dhe pasojat që do sjellë te shëndeti dhe jeta e çdo banori të planetit u evidentuan të enjten në raportin e organizatës ndërkombëtare "Fondi Botëror për Natyrën".

Indeksi i Jetesës në Planet që gjurmon rreth 4 mijë specie kafshësh kurrizore tregoi një rënie me 68 për qind midis viteve 1970 dhe 2016, si pasojë kryesisht e rritjes së shpyllëzimeve, zgjerimit të aktivitetit bujqësor dhe mbikonsumit të mishit dhe peshqve nga njerëzit.

Në rastin e popullatave në ujërat e ëmbël, rënia ishte edhe më e madhe, rreth 84 për qind, dhe trendi u vërejt edhe në tërësinë e gjitarëve, zogjve, kafshëve amfibe dhe zvarranikëve.

Ekspertët vënë në dijeni se nëse vijohet me ritmet aktuale, me gjasë një pjesë e madhe e kafshëve të egra do shfarosen e nëse nuk hidhen hapa drastikë brenda këtij dhjetëvjeçari, do të reduktohen në maksimum shanset për të rikuperuar speciet e humbura.

Në raportin e përpiluar nga 125 ekspertë me ndihmën e Shoqatës Zoologjike të Londrës, paralajmërohet se shkatërrimi i habitatit natyror nuk kalon pa rreziqe.

Në të ardhmen do të rritet risku i pandemive si Ebola apo si koronavirusi i ri që ka pushtuar botën aktualisht, sepse mungesa e mjediseve natyrore po i shtyn më afër popullatës njerëzore kafshët e egra dhe bakteret që ato bartin në përditshmërinë e tyre.

Rëndësi kanë edhe qasja ndaj ndryshimeve klimatike, ku theksi vendoset te ripyllëzimi i sipërfaqeve të pazëna në natyrë dhe posaçërisht në zonat tropikale, ku në më pak se 50 vite llogaritet se janë shkatërruar 94 për qind e larmisë së bimëve dhe kafshëve.

Për kafshët e egra, qeverive dhe korporatave në botë, u sugjerohet të ndërmarrin politika më të qëndrueshme, të edukojnë konsumatorët se si ndikon në natyrë blerja apo konsumi i tepruar i mishit dhe si t'i zëvendësojnë ato me ushqime që kanë pak impakt mjedisor.

Bota Studime njeriu bota katastrofe per kafshet humbet

EMISIONET