Kina regjistroi si sot një vit viktimën e parë të Covid-19 në qytetin e Wuhan.

Një 61-vjeçar që vizitonte rregullisht tregun lokal të gjësë së gjallë, dhe emri i të cilit mbahet ende i fshehtë, do e humbiste jetën më 11 janar 2020 pas infektimit me virusin e ri misterioz.

Qyteti dhe e gjithë Kina atëkohë do të izolohej urgjentisht për të ngushtuar vatrën e infeksionit.

Ndërsa një vit më vonë, në Wuhan epidemia konsiderohet e shuar dhe përvjetori i së hënës kaloi pa u vënë re nga rreth 11 milionë banorët e tij.

“Kur u raportua atëherë nga qeveria, nuk i kushtuam aq vëmendje epidemisë sepse ishte e re. Mendoj se tani gjithë kinezët duhet ta fiksojnë këtë datë edhe për arsye ndërgjegjësimi.“- thotë Xiong Liansheng

“Shumica e rasteve në Uhan po vijnë nga jashtë tani sepse ne po e kontrollojmë mirë virusin. Ndjehemi të sigurt, ndaj çdo ditë vijmë këtu e kërcejmë të lumtur, duke ruajtur distancën 1 metër nga tjetri.”

Edhe pse qytetarët kinezë shprehen optimistë për situatën me pandeminë, Kina raportoi të hënën 103 pacientë të rinj me simptoma të Covid-19, shumica në provincën veriore të Hebeit.

Kjo përbën shifrën më të lartë që nga muaji korrik dhe vendi po rikthen kufizimet si në lëvizje, edhe në ndërprerjen e mësimit në shkolla për të kufizuar vatrat e infeksionit.

“Personeli mjekësor po kujdeset duke na ardhur në komunitet për të kryer testimet e nevojshme, edhe te të moshuarit që e kanë të vështirë të lëvizin apo te ata me fëmijë në shtëpi.”

Pas 11 janarit të vitit 2020, e gjithë bota do të familjarizohej shpejt me koronavirusin e ri, që e ka rritur bilancin tragjik global me mbi 1 milion e 930 mijë veta.

Autoritetet kineze janë kritikuar për mungesën e transparencës në fazën e parë të epidemisë.

Deri tani, zyrtarisht Kina ka raportuar 4,634 viktima nga Covid-19.