Në një vjetorin e fatkeqësisë së tërmetit kreu i Shtetit Ilir Meta i kërkoi qeverisë së Edi Ramës që të shmangë propagandën dhe të punojë për t’i garantuar strehim familjeve që janë ende në çadra.

Sipas tij, është e papranueshme që edhe një vit më pas, qytetarët janë të pasigurt për banesat e tyre.

“Nderim kujtimit të 51 jetëve të humbura nga tërmeti shkatërrues dhe solidaritet me familjet e tyre dhe gjithë të prekurit nga ajo fatkeqësi natyrore.

Një vit më pas, është e papranueshme, që ende nuk është garantuar një strehim i sigurt për shumë familje të goditura më rëndë nga tërmeti.

Kushtet e vështira ku jetojnë shumë prej tyre i ekspozojnë edhe më shumë ndaj pandemisë.

Të shtohen të gjitha përpjekjet për të qenë sa më pranë tyre, me sa më pak propagandë dhe sa më shumë punë e transparence”, thekson presidenti.

Ai kritikoi dhe faktin se drejtësia ende nuk ka vepruar për dëmet e shkaktuara.

Ndërkohë drejtësia duhet të tregojë kush mbajti përgjegjësi për cilësitë skandaloze të shumë pallateve dhe pronave të qytetarëve“, u shpreh presidenti.

Krahas kritikave për qeverinë, Presidenti Meta ka falenderuar të gjitha vendet që i erdhen në ndihmë Shqipërisë me 26 nëntor si në konferencën e donatorëve astu edhe me anë të grupeve të specializuar për kërkim shpëtim në terren në ditët pas goditjes nga tërmeti.

“Falenderim për të gjitha vendet mike për ndihmat bujare ndaj popullit shqiptar”.