Sot në tryezën e punës së gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Apelit, ndodhej një “mal” me dokumenta. Aq shumë, sa mund të mateshin me metër kub.

Ishte çdo gjë, çdo vërtetim, çdo faturë, çdo kontratë, gjithçka që provonte se pasuria e pronarit të RTV Ora dhe Ora News, Ylli Ndroqi,  është e ligjshme dhe çdo qindarkë është e gjurmueshme.

Vendimi për të mbajtur nën sekuestro televizionin ku unë punoj dhe të tjera biznese që mbajnë në këmbë këtë media, ishte vërtet zhgënjyes.

Sot, më kaluan para syve si në një film mijëra minutat që Ora News vendosi pa u kursyer në mbështetje të reformës në drejtësi. Ishte ekrani lider që mbështeti pa asnjë rezervë reformën, me besimin se sistemi do të ndryshonte dhe e drejta do të triumfonte.

Një zhgënjim total!

Për fat të keq, sot, u bëmë dëshmitarë, në mënyrë të përsëritur, të një sistemi më pak të drejtë dhe më shumë të kontrolluar.

Një vend ku media e pavarur është nën kërcënim, ku pushteti gjyqësor mesa duket është nën urdhra politikë, ku Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese nuk funksionojnë, është një vend që prodhon Lukashenko.