Shpesh herë e kemi dëgjuar që një qen të zgjat jetën por asnjëherë nuk i jemi futur në thellësi për të kuptuar më qartë se për çfarë bëhet fjalë.

Disa mjekë nga Italia kanë publikuar një raport shkencor, ku na tregon se qeni nuk është vetëm një kafshë besnike ndaj njerëzve por ndikon edhe për mirë në mënyrën e jetësës dhe shëndetit.

Mjekët italianë i referohen studimit në revistën American Heart Association (Shoqata Amerikane e Zemrës), ku thotë se një qen me të vërtetë mund të zgjasë jetën tonë.

Studimi përmban një përmbledhje gati 70-vjeçare të hulumtimit global që ka përfshirë gati 4 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Skandinavi, Zelanda e Re, Australi dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Të kesh një qen në shtëpi do të thotë të kesh një ulje prej 24% të vdekshmërisë nga të gjithë shkaktarët”, tha Dr. Caroline Kramer, një endokrinologe dhe autore kryesore e hulumtimit. Të gjithë njerëzit që janë prekur nga sëmundje vaskulare (31%) kanë përfitime të mëdha nëse kanë një qen.

Shoqata Amerikane e Zemrës tregon se ka shumë studime që kanë zbuluar se pronarët që ecin me qentë e tyre bëjnë deri në 30 minuta më shumë aktivitet fizik në ditë.

“Ka studime që sugjerojnë që njerëzit që kanë qen kanë një profil më të mirë të kolesterolit dhe ulin presionin e gjakut. Ecja me qenin tuaj mund të zvogëlojë presionin e gjakut sa një ilaç”, është shprehur Kramer.