Izmir Smajlaj, kampioni shqiptar i atletikës, ishte i ftuari special i emisionit “Ora Sport” në RTV Ora për mbrëmjen e kësaj të diele.

Përmes një lidhjeje me Skype, shkodrani foli mbi suksesin e para pak ditëve në Stamboll ku u shpall edhe kampion i Ballkanit.

“Unë sot jam nis drejt Beogradit ku kam një tjetër garë më 24, të mërkurën. Këtë garë isha shumë i emocionuar se u riktheva pas një viti ku kam ndejt edhe i dëmtum. Ishte një vit pa bërë gara por ishte një garë e bukur, plot emocion edhe një rezultat shumë i mirë që unë bëra”.

7.91 m ishte rezultati i shkodranit në Turqi, 1 cm më shumë se suksesi i para disa vitesh në Europianin e Vjenës.

“Ky është një rezultat shumë i mirë. Rezultat që hyn në çdo finale, të Europianit dhe Botërorit. Kisha frikë atletin rumun që para garës kishte kërcyer 8.14 metra por gara ka surpriza. Liga Ballkanike është bërë shumë e fortë, me 21 shtete. Nuk është më si vitet e tjera“, u shpreh Smajlaj.

Izmir Smajlaj është shpallur sërish kampion i Ballkanit në salla të mbyllura. Atleti i njohur shqiptar i kërcimit së gjati tregoi edhe një herë cilësitë e tij në garën e zhvilluar këtë të shtunë në Stamboll.

Smajlaj kërceu 7 metra e 91 centimetra duke kaluar të gjithë kundërshtarët. Sportisti tjetër shqiptar Franko Burraj mori medalje argjendi në 400 metra, duke u shpallur nënkampion i Ballkanit me kohën 47 sekonda.

Të dy atletët do të marrin pjesë në Mitingun e Beogradit pas pak ditësh, ndërsa në në fillim të marsit do të garojnë në Kampionatin Europian në Poloni.

Lexo edhe:

Izmir Smajlaj shpallet kampion i Ballkanit në garat në Turqi