Presidenti i Republikës Ilir Meta u shfaq shumë i ashpër në komunikimin e përjavshëm me mediat dhe publikun teksa foli për një aktivitet kriminal shtetëror që synon shkatërrimin e financave të shtetit dhe familjeve shqiptare.

Sipas tij, ka zyrtarë të lartë shtetëror që po bëjnë korrupsion përmes një loje të dyfishtë me çështjet që përfundojnë në Gjykatën e Arbitrazhit.

“Unë jam këtu si kryetar shteti për të paralajmëruar një aktivitet kriminal që shkatërron financat e shtetit dhe familjeve shqiptare. Rritja e borxhit dhe gjithë këto parashikime të zymta, përveç krizës politike artificiale, pa dyshim mund të sjellë edhe një situatë falimentimi ekonomik dhe financiar.

Shqetësimi im i parë, janë shumë çështje, të cilat mund të penalizojnë Shqipërinë edhe në shifra miliarda eurosh apo dollarësh.

E dyta, një lojë e dyfishtë korruptive të zyrtarëve të lartë të qeverisë. Që përfitojnë edhe nga kompania e cila merr apo trashëgon aktivitetin ekonomik ndërkohë bashkëpunojnë edhe me atë që humbet kontratën në Arbitrazh duke mos mbrojtur interesat e shtetit shqiptar, ne shkojmë drejt një katastrofe financiare. Ky është shqetësimi im i madh dhe i drejtë. Ju e shihni, unë punoj me shkresa. Unë di të ndaj atë që është shtetërore, institucionale nga ato personale”, tha Meta.