Ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi ka zhvilluar ditën e sotme një takim me rektorët e universiteteve publike në vend.

Takimi u zhvillua pranë ambienteve të ministrisë, ku ministrja Kushi u shpreh se takimi ishte i frytshëm.

Kushi nënvizoi se kanë diskutuar mbi fillimin e vitit të ri akademik dhe masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e procesit në kushtet e pandemisë së COVID-19.

“Gjatë bashkëbisedimit me ta dhe duke i uruar gjithsecilit për detyrën e marrë, theksova njëkohësisht nevojën e një bashkëpunimi të thelluar institucional në funksion të adresimit të çdo problematike që rrit cilësinë e shërbimeve ndaj studentëve tanë. Për këtë, iu shpreha qartë se dera ime do të jetë gjithmonë e hapur dhe unë do të jem përherë e predispozuar për t’i dëgjuar dhe adresuar me sukses sfidat tona të përbashkëta”, – tha Kushi.

Në lidhje me “Paktin për Universitetin”, Ministrja Kushi cilëson se ky pakt është në vëmendje të veçantë të qeverisë shqiptare dhe kërkon gjithashtu nga secili universitet që të bëjë maksimumin e vet për të çuar më përpara detyrimet që rrjedhin në kuadër të tij.