300 milionë indianë po presin të vaksinohen brenda verës. Fushata filloi të shtunën me gati 300 mijë prej tyre, me vaksinat e prodhuara në bashkëpunim ose tërësisht nga kompanitë vendëse.
Një total prej 40 milionë njerëzish apo rreth 2 milionë e gjysmë përditë po vaksinohen kundër koronavirusit në shtete të ndryshme të botës.
India u bë vendi më i ri që nisi të shtunën fushatën masive të imunizimit të popullatës nga virusi, i cili deri tani u ka marrë jetën mbi 150 mijë qytetarëve dhe vazhdon të infektojë të tjerë.
Të parët gjatë ditës morën vaksinat e prodhuara brenda vendit, të cilat janë kritikuar pasi nuk i kanë kaluar të gjitha fazat e testimit.
“Kemi shpresë së vaksinat do të jenë efikase kundër kovidit. Duhet të shpresojmë dhe t’i shohim pozitivsht.”
“Natyrisht, po të zgjidhja, do bëja vaksinën e konfirmuar, nga Covishield apo Pfizer, të cilat kanë publikuar të dhënat nga faza e tretë e provave klinike.”
Nga 1 miliard e 300 milionë banorë që ka India, një e katërta synohet të vaksinohen brenda korrikut.
Kryeministri indian, Narendra Modi, ftoi qytetarët t’i nënshtrohen vaksinimit dhe të kenë besim se ato janë të sigurta, por edhe të mos i neglizhojnë masat për pandeminë.
“Bashkëqytetarëve të mi u them se ka shumë rëndësi që t’i marrin të dyja dozat e vaksinës korona. Mos e harroni asnjëherë dozën e dytë, mos e ulni vigjilencën pas dozës së parë, mos e ulni maskën, mos e harroni distancën sociale.”
Në nivel botëror, Izraeli vazhdon të kryesojë listën e vendeve me më shumë të vaksinuar për banor, gati 25 për çdo 100 banorë, sa pesëfishi i Britanisë dhe sa 25-fishi i Gjermanisë.
Por vaksinat konsiderohen luks për vendet si Brazili, ku pandemia e ka futur në krizë tërë sistemin shëndetësor.
Banorët në zonat veriore të Amazonës po kërkojnë vetë me bombola oksigjeni pasi spitalet nuk po u shërbejnë dot.
“Është për gjyshen time. Bombolën tjetër e kishte drejt fundit dhe po ia mbush tani. Nuk e di sa do zgjatë këtu por besoj se do e arrij.”
“I afërmi im ka nevojë për oksigjen. E dimë që këtu mbushen bombolat sepse qeveria ka konfiskuar të gjitha burimet e prodhimit të gazit. Një bombolë do i vlejë një javë personit.”
Brazili ka regjistruar më shumë se 200 mijë të vdekur nga kovidi-19, bilanci e dytë më të rëndë pas Amerikës.