Ish-truproja e Azem Hajdarit Zenel Neza është thirrur për të dëshmuar në proçesin ndaj Izet Haxhisë i akuzuar si një nga bashkëpunëtorët në vrasje. Gjykata pranoi edhe pyetjen e tre familjarëve te Haklajave ndërsa ka shtyrë për në një moment të dytë vendimin për thirrjen e ish-presidentit dhe kryeministrit Sali Berisha.

Ish-truproja i Azem Hajdarit, Zenel Neza është thirrur dëshmitar në gjykatë 22 vjet pas ngjarjes së rëndë ku u vra deputeti i Partisë Demokratike.

I cilësuar si dëshmitar okular pasi mbeti i plagosur, Neza u kërkua për të dëshmuar nga prokurori Dritan Nushi, pasi sipas tij rrëfimi i truprojës nuk është marrë asnjëhere siç e parashikon kodi i procedurës penale.

Neza do të pyetet edhe në lidhje me takimin që ka patur ne spitalin e Traumës menjëherë pas ngjarjes me kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha dhe bisedën që ka zhvilluar me të.

Pas dëshmisë së Nezës gjykata do të shprehet edhe për pyetjen apo jo të Berishës, Minarollit dhe Ylli Rakipit, të cilët kanë qenë të pranishem në spitalin e Traumës.

Por ky vendim i ndërmjetëm i gjykatës ka bërë të reagonte avokati mbrojtës i Haxhisë, Idajet Beqiri, i cili akuzoi gjykatën se po vepron politikisht.

“Është një proces i vështirë, sidomos për gjyqtarët për ta gjykuar këtë çështje. Është një proces që ka qenë ekstrem i politizuar dhe politika që i futi hundët në dosje. Ajo politikë nuk ka vdekur, është gjallë akoma dhe i i ka njerëzit e vet edhe në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë”.

Në listën e dëshmitarëve që u pranua të thirreshin janë edhe Shpresa Breçani, mbesa e Sali Berishes, si dhe familja Haklaj, Muharremi, Aishja dhe Zylfija.

Ndërsa u refuzua pyetja e ish-shefit të SHIk, Fatos Klosi, si dhe Jaho Mulosmanit.

Seanca e radhës u la për tu zhvilluar në 20 tetor. Izet Haxhia u dënua si një nga bashkëpunëtorët e vrasjes së Azem Hajdarit, por pas ekstrardimit të tij nga Turqia, Apeli vendosi rikthimin e procesit nga e para.