Ngërçi për "Zgjedhoren"/ Gazetarja 'fshikullon' PS: Ju që keni liderin më jetëgjatë dhe ngrini flamurin e reformave të thella...

Ngërçi për "Zgjedhoren"/ Gazetarja

Një forcë politike që shprehet e sigurtë në zgjedhjet e 25 prillit, që shënjestron opozitën si më të dobtën në 30 vite dhe që ngre flamurin e reformave më të thella, duhej të priste krahëhapur çdo kërkesë të opozitës sa i përket listave, koalicioneve dhe sistemit zgjedhor.

Kështu shprehet ndër të tjera në një postim të sajin në Facebook, pak orë pas bojkotit që opozita i bëri Këshillit Politik dhe pas publikimit të Amendamentit të PS për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, gazetarja e mirënjohur Sonila Meço.

Sipas autores dhe drejtueses së "Tempora" në RTV Ora, shakaja pa shije që iu servir sot sërish shqiptarëve, mbush orët në sallonet politike me debate ndërsa zbraz orët e jetës së hallemëdhenjve në këtë vend.

Postimi i plotë i gazetares:

Një forcë politike, që deklarohet e sigurt në fitore, që shënjestron opozitën si më të dobtën e 30 viteve demokraci, që mëton se nuk ka më të mirë se vetja, që deklaron e sigurt se elektorati voton në shumicë majtas, që ka 7 vite me propagandën më të suksesshme në Ballkan, që ka gjithë pushtetin, lokal e qendror, që ngre flamurin e reformave më të thella të viteve “demokratike”, që ka liderin më të sprovuar në jetëgjatësi pushteti, plot 22 e që “vuan” sot mungesën e një kundërshtari të denjë...pritej të qe me tra hapur ndaj çdo kërkese të opozitës për llojin e listave, sistemit e koalicioneve, duke dëshmuar jo vetëm pjekuri politike në krizën më të thellë soc-politiko-ekonomike, por edhe vetsiguri se nuk i druhet garës. Se nuk zgjedh kleçkat, “spërdredhjet”, “llastimet”, mutacionet, sajesat me lista të hapura me pak mbyllje a të mbyllura me pak hapje...

Kjo shaka pa erza e radhës, që na u servir sot e që nuk i zgjidh asgjë shqiptarit, që do ndryshimin se nuk mban më (qoftë të përfaqësueve të së njëjtës forcë politike, pa a me rotacion), që në drobitjen e ekonomisë dhe izolimit shkakton veç debate për të mbushur orët në sallonet politike të mbrëmjes teksa zbraz orët e jetës së hallemëdhenjve në këtë vend është arsyeja e parë dhe e fundme për të kuptuar kush e si po luan me nervat e shqiptarëve për të qetësuar kastën e privilegjuar. Atë kastë, që mbush orët e premtimeve duke rrahur gjoksin dhe zbraz shpresat e shqiptarëve, “përfaqësuesit e popullit”.

Vendi Lajme Politikë PS tempora Sonila Meço zgjedhje kodi zgjedhor Aktualitet kriza amendamenti reagimi

EMISIONET