Tashmë futbollistët shqiptarë janë bërë të parapëlqyer nga shumë skuadra ndërkombëtare në merkato.

Një prej tyre është Milot Rashica, emri i të cilit është lakuar shumë këtë verë ku shumë skuadra kanë shfaqur interes.

Ylli kosovar ishte i ftuar në emisionin Ora Verore këtë të hënë (27 korrik) ku u shpreh se ende nuk ka një vendim zyrtar për lëvizjen e tij.

Ai thotë se aktualisht po shijon pushimet dhe se do të vendosë më vonë për të ardhmen e tij.

Rashica: Sa herë që hapet sezoni i merkatos qarkullojnë shumë zëra. Për momentin nuk munda të bëjë diçka publike por jam bisedime me shumë skuadra nga vende të ndryshme. Nuk kam se pse të nxitoj pasi për shkak të pandemisë është shtyrë me një muaj dhe merkato. Aktualisht po shijoj pushimet madje kam fikur dhe telefonin që të mos më shqetësojnë.

Gazetari dhe moderatori i emisionit Ronaldo Sharka e pyeti Rashicën se ku do të preferonte të luante mes Dortmundit dhe Bayern Munich duke qenë se të dy gjigantët gjermanë kanë shfaqur interes.

Duke i vlerësuar si skuadra, Rashica u shpreh se nuk e ka vendosur ende të ardhmen e tij.

Rashica: Ka pasur shumë zëra. Ato janë dy skuadrat më të mira në Gjermani dhe ta shohim se çfarë do ndodhë. Por siç e thashë për momentin nuk po mendoj largimin.

Dy skuadra të tjera të cilat kanë shfaqur interes për Rashicën janë Liverpool dhe Milan. Sipas medias gjermane Bulinews, Rashica i ka refuzuar ofertat e këtyre dy skuadrave pasi në lojë për të është futur skuadra e Leipzig.

Por për Ora Verore ai u shpreh se deri më tani nuk ka refuzuar asnjë prej skuadrave dhe se do të shohë se kush është më e përshtatshmja për të.

Rashica: Unë nuk kam refuzuar asnjë skuadër deri më tani, por siç e thashë edhe më herët do të vendosim më vonë se ku do të transferohem. Do të shoh unë dhe agjenti im se ku është mundësia më e mirë si një hap shumë i mirë për mua.