Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë bën me dije se
Turqia ka vendosur masa të reja për personat që udhëtojnë drejt këtij vendi, me qëllim kontrollin e numrit të rasteve me COVID-19.

Duke filluar nga data 28/12/2020, të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt Turqisë në rrugë ajrore (me avion), para hyrjes së tyre në vend duhet të jenë të pajisur me rezultatin negativ të testit SARS-CoV-2 PCR të kryer brenda shtatëdhjetë e dy orëve (72 orë) të fundit.

Ndërsa për qytetarët që do të udhëtojnë drejt Turqisë nëpërmjet rrugëve tokësore apo detare, kjo masë do të hyjë në fuqi prej datës 30/12/2020. Ata që nuk kanë një test PCR negativ nuk do të lejohen të hipin në avion për të udhëtuar në Turqi.

Pra, për udhëtimin në rrugë ajrore, testi negativ është kusht të paraqitet në momentin e udhëtimit.

Sa i përket udhëtimit në rrugë tokësore apo detare, nëse udhëtarët nuk paraqesin testin negativ tek autoritetet zyrtare gjatë hyrjes në pikat kufitare, është kusht të karantinohen në adresën që do të deklarojnë (shtëpi, hotel, etj).

Në rast se nuk kanë një vend për të qëndruar, duhet të karantinohen në vendet që do të përcaktohen nga Drejtoritë e Shëndetit Krahinor.

Në fund të 7 ditëve karantinë, do t’u kryehet testi PCR, dhe sipas rezultatit karantina 7-ditore do të përfundojë, ose do të vazhdojë trajtimi i tyre më tej në përputhje me Udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë turke.

Ky rregull do të vazhdojë të zbatohet deri më 1 mars.