Nisin lojërat Paraolimpike, Shqipëria përfaqësohet nga Doku
Mbrëmjen e së mërkurës mbretëresha britanike Elizabeta i dha start ceremonisë së hapjes së lojërave Paraolimpike, Londra 2012. Në ceremoninë madhështore morën pjesë më shumë se 3 mijë interpretues, shumica prej tyre persona me aftësi të kufizuara fizike.Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik, Filip Kraven, tha se lojërat janë festë e shpirtit njerëzor dhe se kanë energji për ndryshimin e secilit prej nesh.Lojërat Paraolimpike, në të cilat marrin pjesë sportistët me aftësi të kufizuara fizike, siç janë ata me mungesë apo dëmtim të gjymtyrëve, apo nga verbëria, zhvillohen pas Lojërave Olimpike. Gjatë 11 ditëve të garave, do të paraqiten më shumë se 4200 përfaqësues të 166 vendeve, duke shënuar kështu një numër rekord. Garat zhvillohen në 20 disiplina të sporteve. Raportohet se ceremonia është ndjekur drejtpërsëdrejti nga rreth 80 mijë spektatorë. Medalistja e parë e artë e Paraolimpikeve të Britanisë, Margaret Maughan, 84 vjeç, ndezi flakën që shënoi edhe nisjen e garave.Më herët, atletët parakaluan rreth Stadiumit Olimpik, me paraolimpikët britanikë që hynë të fundit, duke krijuar edhe një atmosferë festive me brohorima të mëdha. Ceremonia e hapjes shënoi nisjen e garës 11-ditore të 4200 atletëve nga 164 vende, përfshirë këtu 300 nga vendi organizator. Basketboll për të paralizuarit, qitje, not dhe garë me biçikleta janë disiplinat që zhvillohen në ditën e parë të garës.Për herë të parë Shqipëria, do të ketë pjesëmarrës në këto lojëra dhe ai është Haki Doku, nga Kruja por që jeton prej mëse15 vitesh në Itali. Lojërat e 14-ta Paraolimpike sipas numrit të garuesve do të jenë më masivet deri tani.