Peshëngritja në zi, ndahet nga jeta ish-trajneri i Partizanit dhe ekipit kombëtar. Meta: Emri i tij pas shumë kampionëve
Peshëngritja shqiptare ka humbur sot një tjetër figurë, pasi është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare Haki Agalliu.
Presidenti Ilir Meta në një mesazh ngushëllimi, thotë se ai i përket asaj plejade trajnerësh, të cilët e ngritën peshëngritjen tonë në nivelet më të larta ndërkombëtare.
Meta: Lajmi për ndarjen nga jeta të Prof.Haki Agalliut, është i dhimbshëm për të gjithë ata, të cilët punuan dhe e njohën nga afër përmbi 6 dekada, në shërbim të sportit dhe peshëngritjes në veçanti. Ai i përket asaj plejade trajnerësh, të cilët e ngritën peshëngritjen tonë në nivelet më të larta ndërkombëtare. Emrat e shumë kampionëve dhe rekordmenëve lidhen edhe me punën e përkushtimin e Tij të admirueshëm, po kështu edhe shumë arritje në kompeticionet ndërkombëtare. Ka qenë kënaqësi dhe privilegj ta njihja, por edhe të mësoja prej urtësisë të Tij. Ngushëllimet më të sinqerta Familjes Agalliu, të gjithë miqve dhe dashamirësve të Tij.
Haki Agalliu ka qenë peshëngritës dhe trajner i ekipit te Partizanit dhe ekipit Kombëtar që nga vitet 1960.
Në vijim, ai ka kryer edhe detyrën e anëtarit të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për 8 vjet, nga viti 2004,deri në 2008-ën, gjatë drejtimit të saj nga presidenti Esat Ademi.
Emri i Haki Agalliut është emër i respektuar i peshëngritjes shqiptare ne disa dekada dhe për këtë kontribut, Ademi e propozoi emrin e tij për dekorimin nga Federata Evropiane e Peshëngritjes (EËF), propozim që u miratua në vitin 2008.
Me ndarjen e tij nga jeta, shtanga shqiptare humb një tjetër peshë të rëndë.
