Hetimet për sulmin në Vjenë, policia bastis shtëpitë

Policia austriake ka bërë me dije se janë bastisur shtëpi dhe zyra pune në kuadër të hetimeve në lidhje me sulmin në Vjenë.

Autori i masakrës ku mbetën të vrarë 4 persona dhe 15 të tjerë u plagosën, u identifikua si Kujtim Fejzullahi, 20 vjeç me origjinë nga Maqedonia e Veriut. I riu e kreu aktin terrorist në kuadër të sulmeve të Shtetit Islamik.

Bastisjet e policisë u zhvilluan në qytetet Osnabrueck, Kassel dhe Pinneberg, ndërkohë që shtëpitë u përkasin personave që mund të kenë pasur lidhje me autorin.

Policia austriake ka ndaluar 14 persona si pjesë e hetimeve për sulmin.

Revista gjermane Der Spiegel kishte raportuar në fillim të kësaj jave se sulmuesi i Vjenës kishte kontaktuar me islamistët gjermanë gjatë një përpjekje për të udhëtuar në Siri për t’u bashkuar me grupin e Shtetit Islamik. Gjithashtu janë arrestuar edhe dy të rinj në Zvicër, të cilët mendohet se kanë pasur kontakte me Fejzullahin.