Armenia dhe Azerbajxhani bien dakord për armëpushim dy javor
Azerbajxhani dhe Armenia vendosën nga e shtuna në mesditë të ndalin luftën etnike në rajonin e Karabakut të Sipërm. Armëpushimi u arrit në Moskë dhe palët u zotuan se do rivendosin paqen në Kaukaz me ndihmën e Rusisë, SHBA-së dhe Francës.
Pas më shumë se dhjetë orëve konsultime, Rusia arriti të shtunën të bindë Azerbajxhanin dhe Armeninë të ndërpresin luftimet gati dyjavore në lartësirën e Karabakut.
Kryediplomatët e dy vendeve firmosën një rezolutë tripalëshe me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.
Lavrov tha se paqja do tentohet të rivihet me ndërmjetësinë e Rusisë, SHBA-së dhe Francës, të njohura si Grupi i Minskut në OSBE, njësoj si në vitin 1994.
"Armëpushimi fillon nga 10 tetori, ora 12, me qëllimin humanitar që palët të shkëmbejnë të burgosurit dhe personat e tjerë të zënë në luftë, si edhe të shkëmbejnë trupat e viktimave në fushëbetejë me përfshirjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq."
Kremlini njoftoi se palët do provojnë të gjejnë zgjidhje paqësore edhe për çështjen e sovranitetit të Karabakut, një provincë me shumicë armene por zyrtarisht pjesë e Azerbajxhanit.
Në rajon, konflikti që u rindez më 27 shtator ka lënë deri tani mbi 400 të vrarë dhe ka detyruar shpërnguljen e mijëra banorëve nga trevat e veta. 30 mijë jetë u sakrifikuan në vitet 1991-1994 kur provinca etnike vetëshpalli pavarësinë nga shteti azer, pavarësi e cila as tani nuk njihet ndërkombëtarisht.