Policia sllovake qëllon mbi automjetet me klandestinë, plagoset gruaja siriane

Një emigrante siriane është plagosur teksa tentonte të hynte në Sllovaki. Policia sllovake hapi zjarr në hyrje të kufirit pranë qytetit Velki Merder.26 vjeçarja u dërgua menjëherë në spital, ku u desh ndërhyrja kirurgjikale për ti shpëtuar jetën.Zëdhënësja e policisë kufitare sllovake njoftoi se aksidenti ndodhi rreth mesnatës, kur 4 automjete tentuan të kalonin nga Hungaria në Sllovaki pa ndaluar në pikat e kontrollit.“ Oficerët kufitare urdhëruan 4 autmojete të ndalonin, 3 prej tyre e zbatuan urdhërin ndërsa njëra jo. Drejtuesi i mjetit kërkoi të devijonte duke vendosur në rrezik jetën e oficerëve. Në këtë moment oficerët qëlluan fillimisht në ajër e më pas shënjestruan gomat e makinës, por për fatin e keq njëri nga plumbat preku vajzën. Kur automjeti ndaloi zbuluam se në të ndodheshin emigrantë të paligjshëm “- u shpreh zëdhënësja e policisë kufitare sllovake, Patricia Macikova.“Është mizore që policia sllovake po qëllon mbi emigrantët e pafajshëm, të cilët i janë drejtuar Europës, pikërisht për ti shpëtuar plumbave”- deklaroi Andrew Strolein, Drejtori i Marrëdhënies me Median në organizatën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut “ Human Rights Watch”.Mjekët konfirmojnë se 26-vjeçarja ka pasur plagë te dukshme në zonën e barkut dhe legenit, ndërsa shfaq probleme në veshka.Pas ndërhyrjes plumbi i është hequr nga trupi dhe aktualisht emigrantja siriane është në gjëndje të qëndrueshme.Ndërkohë që forcat e rendit arrestuan 6 trafikantë dhe 11 refugjatë të cilët po tentonin të kalonin në mënyrë të paligjshme nga Hungaria për në Sllovaki.