Totozani flet për rritje të varfërisë, Lu: Qeveria të bashkëpunojë me Avokatin e Popullit

Në prezantimin e raportit për të drejtat e njeriut gjatë 2015, Avokati i Popullit evidentoi mjaft problematika të cilat janë konkluzione të  monitorimeve në terren. Për Totozanin raporti evidenton rritje të personave që jetojnë në varfëri dhe u bëri apel institucioneve për më shumë bashkëpunim.Një gjë e tille u mbështet edhe nga Ambasadori i SHBA, Donald Lu, i cili kritikoi ashpër Qeverinë për mungesë bashkëpunimi me institucionin e Avokatit të Popullit. Totozani dhe diplomati amerikan vlerësuan gjithashtu dhe miratimin në parim të reformës në drejtësi, të cilën e konsideruan jetike për vendin.Në prezantimin e raportit vjetor të të drejtave të njeriut gjatë vitit 2015, Avokati i Popullit Igli Totozani bazuar në verifikime dhe monitorime bëri me dije se për shkak të kushteve ekonomike të vendit varfëria është rritur dhe shifra e personave që jetojnë në kushte të vështira ka arritur ne 14.3%, dhe se 2% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme.Në kuadër të Ditës së Europës, Totozani kërkoi më shumë bashkëpunim në mbrotjen e të drejtave të njeriut.Totozani: Shpesh duhet të përballesh me pozitën e vështirësisë individuale dhe institucionale për të punuar për mbrojtjen e të drejtave, në një kohë që jo rralle administrata publike bën një vesh të shurdhët, dhe shpeshhere nuk bashkëpunon dhe nuk reagon ndaj rekomandimeve, apo propozimeve, që i drejtohen nga ana e Avokatit të Popullit.Totozani shprehu mbështetjen e Avokatit të Popullit për reformën në drejtësi, duke e vlerësuar jetike për shqiptarët.Ambasadori i SHBA, Donald Lu, i pranishëm në këtë aktivitet ku u fol për të drejtat e njeriut  theksoi se konsensusi për reformën në drejtësi është në shërbim të popullit dhe se çdo zhvillim të saj po ndiqet me kujdes.Lu: “Konsesusi për reformën në drejtësi do të demonstrojë unitetin kombëtar që kërkohet nga populli shqiptar. Po e monitorojmë nga afër këtë proces”.Lu rezervoi kritika të ashpra për qeverinë shqiptare që sipas tij ka mungesë të gatishmërisë për të pasur dialog me Avokatin e Popullit:Lu:  “Z. Totozani ka një bashkëpunim të shkëlqyer me komunitetin ndërkombëtar. Ai ka marrëdhënie të forta me shoqërinë civile. Ajo që shoh të mungojë është gadishmëria e Qeverisë për të pasur dialog me Avokatin e Popullit,Por ndonjëherë duhet pranuar se edhe qeveritë gabojnë.Shpresoj që në vijim të shoh përulësi dhe gadishmëri të qeverisë për të bashkëpunuar”.Ndërsa Ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, bëri apel që institucionet të adresojnë sfidat që ka vërejtur Avokati i Popullit pasi sipas tij ato japin sugjerime të vyera për zgjidhje të realizueshme.