Droga në shkolla, Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Të parandalohet shitja

Komitetit Shqiptar i Helsinkit i kërkon autoriteteve shtetërore të marrin masa për të parandaluar tregëtimin e substancave narkotike në ambjentet e shkollave.Gjithashtu Komiteti ngre shqetësimin se pas aksioneve policore nuk ka vijmësi të masave për të frenuar këtë fenomen në ambjentet edukative dhe arsimore.“Vërehet se fillimisht pas këtyre rasteve, bëhen disa mbledhje, merren disa masa, por ato nuk kanë vazhdimësi dhe rrjedhimisht efekti i tyre është minimal. E theksojmë këtë edhe për faktin se disa sondazhe të kryera më parë kanë dhënë sinjale se përdorimi i drogës në një përqindje relativisht jo të vogël është përhapur edhe në shkolla”.Thirrja shkon për Policinë e Shtetit, Drejtoritë Arsimore Rajonale, mësuesit si dhe prindërit për të denoncuar taste të tilla.“KSHH është e ndërgjegjshme se parandalimi i shitjes së drogës edhe në shkolla, në forma dhe nga persona të ndryshëm, nuk është vetëm detyrë e organeve të rendit, por e gjithë shoqërisë, në radhë të parë e insitucioneve arsimore dhe e prindërve. Bashkëpunimi dhe koordinimi i organeve të mësipërme dhe i shoqërisë civile duhet të jetë konkret dhe jo formal dhe deklarativ. KSHH rekomandon që në këtë drejtim, të ketë një ndërgjegjësim dhe sensibilizim më të madh të vetë nxënësve, të cilëve duhet t’u bëhet i qartë dëmi që shkakton përdorimi i drogës, për shëndetin dhe jetën e tyre. KSHH do të rekomandonte që në këto veprimtari të ndihmonin edhe specialistët që e njohin këtë fushë”.Përdorimi i drogës, thuhet në komunikimin për mediat të Komitetit të Helsinkit, rrezikon shëndetin dhe jetën e rinjëve.“KSHH bën thirrje që ky problem shqetësues të vlerësohet duke ndërrmarrë veprime konkrete. Përdorimi i drogës sidomos nga të rinjtë rrezikon shëndetin dhe jetën e tyre, i dëmton rëndë moralisht, i bën ata të padobishëm per veten, familjen dhe shoqërinë”.Ky qëndrim vjen një ditë pasi policia e Elbasanit ka sekuestruar 410 gr lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa pranë ambjenteve të shkollës së mesme “Sali Ceka”.