Kushti i ri i demokratëve, PD: Reforma zgjedhore kushtëzon të gjitha reformat

Demokratët do të vënë në krye të listës se prioriteteve që sot e tutje reformën zgjedhore, duke argumentuar se deformimi i votës sjell pasoja të mëdha dhe sipas tyre shembulli aktual është keqqeverisja aktuale. Në ditën që bashkoi votat për të miratuar në parim reformën në drejtësi, PD kushtëzon miratimin e çdo reforme me miratimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor, për të cilat selia blu ka edhe një qëndrim të shkruar përmes një platforme të cilën kryetari i opozitës e prezantoi përballë grupit të deputetëve. Në mbledhje ka patur edhe debate në lidhje me qasjen e PD-së ndaj reformës në drejtësi dhe ndërhyrjen e Ambasadorëve në diktimin e votës. Partia Demokratike, reformën zgjedhore do ta kthejë në kusht të ri për çdo reformë tjetër, pasi në gjykimin e saj keqqevrisja i ka rrënjët tek deformimi i zgjedhjeve.Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbledhur grupin parlamentar ku është publikuar platforma e opozitës për ndryshimin e kodit zgjedhor.Basha: E kemi bërë të qartë se pa një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër nuk do të funksionojë normalisht në këtë vend. Edhe sot kemi qenë pjesë dinjitoze e përpjekjes për reformën në drejtësi, pa propagandë dhe shtirje siç bëjnë ata që thonë do ta votojmë pa e lexuar, por me seriozitetin që meriton reforma në drejtësi jemi angazhar dhe do vazhdojmë të angazhohemi.Por zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioritet i prioriteteve dhe ua kam thënë dhjetra herë. Si të tilla janë dhe mbeten kusht absolut i PD dhe opozitës për gjithçka tjetër në këtë vend.Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, deputeti Oerd Bylykbashi, ka informuar kolegët e tij demokratë se tek ndryshimet do të kërkohet që thelbi të jetë tek votimi dhe numërimi elektronik.Basha: Partia Demokratike, grupi i saj parlamentar finalizoi diskutimet për platformën për procesin zgjedhor ku vendosëm t’i propozojmë Komisionit Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore votimin elektronik me shenjat e gishtërinjve. Kontrollin e plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit. Kufizimin e shpenzimeve në fushatë elektorale, të parave që nuk i “pjell” gjeli i artë i ndonjë partie politike por janë para korrupsioni të kryer apo që pritet të kryhet apo paraprihet. Lirinë e medias dhe hapësirën e barabartë –“par condicio” të faktorëve politikë, të partive politike në hapësirën mediatike, në funksion të informimit të publikut dhe të tjerë parametra europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme.Ora News ka mësuar se përtej reformës zgjedhore grupi parlamentar demokrat është përfshirë në debate në lidhje me qasjen e kësaj partie ndaj reformës në drejtësi.Ish-Ministri, Genc Ruli, ka theksuar se Partia Demokratike duhej të mbante një qëndrim tjetër për reformën në drejtësi, ndërsa sipas tij duhej të kishte dhe një draft të saj për ndryshimet kushtetuese.Po sipas të njëjtave burime dhe ish- Ministri Arben Imami ka mbajtur  të njëjtin qëndrim.Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se debate ka patur edhe për praninë e paralajmëruar të dy Ambasadorëve Donald Lu dhe Romana Vlahutin në mbledhjen e grupit.Deputetja Jozefina Topalli, është shprehur se ardhja e Ambasadorëve për të  diktuar votën shkel sovranitetin dhe përbën rast unik që Ambasadorët thërrasin një grup parlamentar.Me kritikët ndaj qasjes së demokratëve për këtë reformë dhe përfshirjes  së thellë të Ambasadorëve, ka debatuar deputeti Eduard Selami, i cili ka mbështetur përfshirjen e kreut të diplomacisë amerikane Donald Lu në proçesin e reformës në drejtësi dhe pjesmarrjen e tij në mbledhjen e grupeve parlamentare.Ndërsa kryetari, Lulzim Basha, mësohet të ketë theksuar se SHBA janë mbështetëset kryesore të kësaj reforme dhe të vendit tonë ndaj nuk duhet kompleksohemi nga prania e tyre.Si Basha dhe Selami, ashtu edhe ish-kryeministri Sali Berisha është  shprehur në mbështetje të angazhimit të Ambasadorëve për reformën në Drejtësi.