Franca planifikon ngritjen e qendrave për parandalimin e radikalizmit
Qeveria franceze ka planifikuar ngritjen e qëndrave për parandalimin e radikalizmit, të cilat do të kenë për qëllim edukimin e të rinjve në mënyrë që ata të mos përfshihen në grupime terroriste.Lajmi është komunikuar nga Kryeministri i Francës, Manuel Valls, i cili deklaroi se cdo rajon do të ketë një qëndër të tillë."Qendra e parë për të parandaluar radikalizmin do të ngrihet brenda kësaj vere. Pas saj, cdo rajon i vendit do të ketë një qendër të tillë. Radikalizmi i dhunshëm është një problem që na shqetëson të gjithëve dhe ky plan veprimi ka për qëllim hartimin e një strategjie efektive. Synimi ynë është që të monitorojmë, evidentojmë, ndjekim e më pas t'a luftojmë këtë fenomen mjaft negativ", tha Valls.Në bazë të komunikatës zyrtare, ky plan do të kushtojë afro 40 milionë euro, shumë e cila pritet të shpenzohet brenda vitit 2018. Që prej sulmeve që tronditën Parisit gjatë mbrëmjes tragjike të 13 nëntorit të vitit të shkuar, opinioni publik ka qënë mjaft i tronditur.Si rrjedhojë, një pjesë e mirë e qytetarëve kanë vendosur që të përkrahin partitë e djathta, të cilat në programet e tyre propozojnë mbylljen e dyerve për emigrantët si dhe kufizimin e të drejtave për besimtarët myslimanë./Ora News/