Emigrantët, Meta: Shqipëria e gatshme të bëjë pjesën e saj, pa ngritur mure

Shqipëra është e gatshme të japë kontributin e saj në krizën e emigrantëve, pa ngritur mura. Premtimin e bëri kryeparlamentari Ilir Meta gjatë pritjes që i bëri  një delegacion të Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Danimarkës kryesuar prej Kryetares së këtij komisioni,  Mette Gjerskov. Anëtarët e komisionit shoqëroheshin prej Ambasadorit të Danimarkës në Shqipëri, Mads Sandau-Jensen."Kjo krizë është një sfidë e përbashkët evropiane-tha Meta- dhe Shqipëria është e përgatitur të bëjë pjesën e saj, pa ngritur mure dhe në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë."Në njoftimin e zyrës së shtypit të Kuvendit thuhet se, "Kryetari i Kuvendit  Ilir Meta i vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe veçanërisht mes dy parlamenteve, si shumë të rëndësishme jo vetëm në planin dypalësh, por mbi të gjitha për integrimin evropian të Shqipërisë. Meta theksoi se në këtë drejtim, fokusi mbetet në reformimin thelbësor të sistemit të drejtësisë, si kyç për suksesin e të gjitha reformave të tjera që janë të nevojshme për forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe për thithjen e më tepër investitorëve të huaj në vend."Nga ana e saj "Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane të Parlamentit të Danimarkës, Mette Gjerskov shprehu kënaqësinë e vizitës së anëtarëve të komisionit parlamentar danez në Shqipëri dhe vuri në dukje se Danimarka mbështet progresin e Shqipërisë dhe zbatimin e reformave kyçe që janë në proces, duke nënvizuar se kjo rrit besueshmërinë e Shqipërisë pranë partnerëve të saj evropianë."