Kriza e klandestinëve, shpëtohen 700 emigrantë në Mesdhe
Mbyllja e rrugës Turqi-BE ka rivitalizuar rrugën Libi –Itali. Rreth 700 emigrantë kanë mbërritur në portin e Augustës në Siçili të Italisë, pjesë e grupit prej 1759 personash që u shpëtuan në një megaoperacion në Mesdhe. Autoritetet druhen se numri i refugjatëve që kalojnë nga Libia në Itali do të rritet ndjeshëm me përmirësimin e kushteve atmosferike.698 emigrantë të mbijetuar kanë mbërritur në portin e Augustës në Siçili të Italisë.Refugjatët ishin pjesë e 1759 klandestinëve që u shpëtuan në det të hapur pas një megaoperacioni të marinës italiane, rojës bregdetare, policisë financiare, grupe të caktuara të Bashkimit Europian, Frontex dhe organizata humanitare “Mjekë pa Kufij”.Marina konfirmoi numrin e tyre, por pa dhënë detaje rreth kombësisë.Të ardhurit e fundit e kanë çuar në 30 mijë numrin e refugjatëve të mbërritur në Itali gjatë këtij viti.Organizatat humanitare deklarojnë se rruga detare ndërmjet Libisë dhe Italisë është më e frekuentuara për azilkërkuesit që i drejtohen Europës, pas marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe Turqisë që e ka ulur ndjeshëm numrin e emigrantëve që synojnë Greqinë.“Gjendja shëndetësore e klandestinëve është e mirë. Sigurisht ata ndjenë pasojat e një udhëtimi të gjatë “- u shpreh kapiteni i anijes, Ricardo Rizzotto.Autoritetet druhen se numri i refugjatëve që do të zgjedhin rrugën nëpërmjet Italisë do të rritet ndjeshëm me përmirësimin e kushteve atmosferike.Mbi 1.2 milion emigrantë nga Afrika, Azia dhe zonat Arabe kanë mbërritur në Europë që nga fillimi i vitit të shkuar.Shumica e atyre që mbërrijnë në Itali, nisen nga Libia me peshkarexha ose gomone duke iu drejtuar ishullit të Lampeduzës ose Siçilisë.