Lufta e ISIS, zbulohen mbi 50 varre masive në Irak
Zbulohen mbi 50 varre masive në Irak. Sipas Kombeve të Bashkuara, varret janë gjetur në zonat që më parë kanë qenë të pushtuara nga Shteti Islamik. I fundit u zbulua në Ramadi me 40 viktima. OKB ka shprehur nevojën imediate për ndihma humanitare në këto zona.Mbi 50 varre masive të Shtetit Islamik janë gjetur në Irak.Lajmi është bërë i ditur nga një i deleguar i Kombeve të Bashkuara në këtë zonë.Jan Kubis raportoi në Këshillin e Sigurisë në OKB se janë gjetur shumë prova të krimeve makabre të kryera nga Shteti Islamik.Varret janë zbuluar muajt e fundit, në periudhën kur këto zona janë rimarë në kontroll nga forcat ushtarake irakiane.I fundit u zbulua në Ramadi, i cili përmbante trupat e 40 viktimave.Po ashtu janë gjetur trupa të vdekur edhe në Sinxhar në veri të Irakut dhe në qytetin e Tikrit.Viktimat përfshijnë fise vendasë, gra, ushtarë irakianë dhe persona të minoritetit jazidi.Varre masive janë gjetur edhe në Siri, në zonat e pushtuara nga militantët e Shtetit Islamik.“I dënoj me forcë vrasjet, pengmarrjet, përdhunimet e torturat që populli irakian po vuan vazhdimisht nga dora e Shtetit Islamik. Këto janë krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe genocide”- u shpreh Kubis në Këshillin e Sigurisë në OKB.Ai shtoi se pavarësisht ndërhyrjes ushtarake dhe sulmeve ajrore, Shteti Islamik vijon të jetë mjaft i fuqishëm në Irak dhe Siri, duke i ndryshuar vazhimisht taktikat dhe strategjinë e sulmeve.Kubis tha se nevoja për ndihmë humanitare është imediate.Nga 861 milion dollarët që janë kërkuar për ndihmë humanitare në Irak, vetëm 1/3 e kësaj shumë është vendosur në dispozicion.