Sejko me homologun e Malit të Zi: Ekonomia shqiptare, trajektore pozitive zhvillimi

Guverantori i BSH, Gent Sejko ka pritur homologun e tij të Malit të Zi, Milojica Dakic, i cili shoqërohej edhe nga disa zyrtarë të Bankës së Malit të Zi.Takimi midis dy guvernatorëve, u përqendrua në marrëdhëniet dypalëshe midis dy institucioneve, në ecurinë e sistemeve bankare përkatëse, si dhe në zhvillimet më të fundit në rajon.Në njoftimin e zyrës së shtypit të BSH, thuhet se "Guvernatori Sejko njohu homologun e tij me zhvillimet më të fundit financiare në vend, ku theksoi se sistemi bankar shqiptar është likuid dhe i mirëkapitalizuar. Ai u shpreh se, Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar në garantimin dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Duke u ndalur në ecurinë ekonomike të vendit, Guvernatori Sejko u shpreh në veçanti se, pavarësisht sfidave të ambientit të jashtëm ekonomik, përsëri ekonomia shqiptare mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Në këtë drejtim, Guvernatori garantoi se institucioni që ai drejton nëpërmjet politikës monetare lehtësuese do të vazhdojë të japë të gjithë kontributin e duhur për të mbështetur përpjekjet për një rritje ekonomike të qëndrueshme.Zhvillimet financiare ndërkombëtare si dhe procesi i integrimit evropian ishte një tjetër çështje që u diskutua nga dy drejtuesit e bankave qendrore. Ata theksuan se është mjaft e rëndësishme që Shqipëria dhe Mali i Zi, si dhe vendet e rajonit të kenë një qëndrim të përbashkët në forumet evropiane dhe ndërkombëtare, pasi karakterizohen nga specifika të ngjashme.Nga ana e tij Guvernatori i Bankës Qendrore të Malit të Zi, Milojica Dakic, falënderoi Guvernatorin Sejko për ftesën e bërë dhe bashkëpunimin e deritanishëm midis dy bankave qendrore. Gjatë këtij takimi, Guvernatori Dakic bëri një ekspoze të zhvillimeve makroekonomike të Malit të Zi, duke vënë në dukje sfidat dhe problematikat e sistemit bankar malazez. Ai veçoi rolin dhe kontributin e Bankës Qendrore të Malit të Zi në procesin e integrimit evropian të vendit dhe adoptimin e standardeve evropiane./Oranews.tv/