28 viktima nga sulmi në kampin e refugjatëve, OKB: Krim lufte
28 emigrantë kanë humbur jetën si pasojë e sulmit ajror që goditi kampin në kufirin turko-sirian. Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka quajtur një krim lufte, teksa kërkon hetimin e menjëhershëm të ngjarjes. Sulmi dyshohet të jetë kryer nga forcat ushtarake ajrore të Presidentit sirian Bashar al Asad, ose ato aleate ruse.Sulmi ajror në kampin e refugjatëve në kufirin turko-sirian që shkaktoi 28 viktima, mund të jetë një krim lufte.Kështu kanë deklaruar Kombet e Bashkuara për rrjetin britanik BBC menjëherë pas ngjarjes së rëndë.Stephen O'Brien, shefi i çështjeve humanitare të OKB-së, bëri thirrje për hetim të menjëhershëm të sulmit që goditi kampin Kamouna në provincën Idlib.Dyshohet se sulmi është kryer nga avionët e ushtrisë së Presidentit sirian Bashar al Asad, ose nga avionët rusë që mbështesin liderin sirian.O'Brien deklaroi se kushdo qe të këtë qenë pas sulmit, do të mbajë përgjegjësi për ngjarjen, që la pas rreth 30 të vdekur dhe mbi 50 të plagosur, mes tyre gra dhe fëmijë.Kampi Kamouna ndodhet në Sarmada, 10 km larg nga kufiri turk.Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, dënoi sulmin duke u shprehur se nuk ka asnjë justifikim për këtë akt të rëndë nga forcat ushtarake.Kohët e fundit luftimet në Siri dhe veçanërisht në Alepo, janë intensifikuar pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit mes forcave siriane ushtarake dhe kryengritësve jo xhihadistë, ndërmjetësuar nga SHBA dhe Rusia.Por, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi se në pak ditë 300 të pafajshëm dhe 70 luftëtarë nga të dy anët kanë humbur jetën.OKB ka paralajmëruar se nëse armëpushimi dështon, situata do të jetë katastrofike, pasi më shume 400 mijë njerëz do të niseshin drejt kufirit me Turqinë.