Sulmet e Parisit, "Abdeslam po sillet mirë në qelinë e burgimit"
Terroristi i vetëm i mbijetuar nga sulmet e Parisit, Salah Abdeslam, po sillet mirë dhe nuk po krijon shqetësime në qelinë e tij të burgimit. Është ky lajmi që përcillet nga Nadine Picquet, e cila është drejtuesja e burgut të sigurisë së lartë, Fleury-Merogis, në të cilin po qëndron aktualisht edhe terroristi i vetëm i mbijetuar nga sulmet që tronditën kryeqytetin francez gjatë mbrëmjes së 13 nëntorit të vitit të shkuar.Ajo shton se Abdeslam mbikqyret 24 orë nga kamerat e sigurisë me qëllim parandalimin e një tentative të mundshme për vetëvrasje Terroristi qëndron i izoluar nga pjesa tjetër e të burgosurve për arsye sigurie,ndërkohë që edhe qelitë përreth tij nuk kanë të dënuar në brendësi.Sipas asaj që komunikojnë antarët e personelit të burgut, Abdeslam e kalon shumicën e kohës duke fjetur, duke pushuar dhe duke lexuar. Ai është në pritje të vendimit që do të merret gjatë këtij muaji nga gjykata franceze. Mediat ndërkombëtare kanë arritur që të filmojnë edhe pamje në brendësi të burgut i cili ndodhet shumë pranë Parisit.Me afro 3.800 të burgosur, burgu Fleury-Merogis është edhe më i madhi në Europë. Autoritetet dyshojnë se sulmet e Parisit dhe ato të Brukselit janë ndërmarrë nga e njëjta celulë e Shtetit Islamik në Europë dhe shpresojnë që Abdeslam të bashkëpunojë për të zbardhur plotësisht ngjarjet që kanë shokuar qytetarët e kontinentit të vjetër./Oranews.tv/