Veliaj tek Liqeni Artificial: Presidenti dhe PD të prononcohen për 17 katëshin te Diga

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, teksa ka ndjekur në terren aksionin e prishjeve të objekteve pa leje në Parkun e Liqenit, shprehu vendosmësinë se bashkia nuk do të lejojë ndërtime në këtë park.Ai ftoi Presidentin dhe opozitën të mbështesin bashkinë dhe IKMT për ndalimin e ndërtimit të pallatit 17 katësh tek diga e liqenit. Çështja është në Gjykatën Administrative dhe më 11 maj pritet të jepet vendimi.Erion Veliaj: “Në seancën gjyqësore Bashkia e Tiranës do të kërkojë shfuqizimin e lejes. Pra, Bashkia e Tiranës, për herë të parë, për çështjen e 17-katëshit te diga do të jetë në gjyq përkrah INUK-ut dhe me qytetarët e Tiranës, me ambientalistët, me të rinjtë që duan të shijojnë Parkun e Liqenit pa pallate. Kjo është një ftesë publike për cilindo, duke filluar nga Presidenti i Republikës, deri tek ambientalisti apo qytetari më i fundit, që të shprehin gjithashtu qëndrimin e tyre, çfarë mendojnë për çështjen e pallatit 17-katësh”.Ndërkohë kryetari i bashkisë së Tiranës tha se aksioni i nisur tek liqeni për prishjet e ndërtimeve pa leje do të prekë 100 objekte.Aksioni për lirimin e hapësirave, që do të vazhdojë dhe në ditët në vijim, po kryhet nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, me mbështetjen edhe të policisë Bashkiake./Oranews.tv/.