Thaçi falenderon Brukselin për mbështetjen: Presim lajmin e mirë për vizat
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim me Ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike në Kosovë deklaroi se Prishtina pret sot lajmin e mirë për liberalizimin e vizave dhe falenderoi Brukselin për bashkëpunimin. Vendimi pritet të merret sot në Komisionin Europian.Thaçi: “Sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik, bashkëpunimi rajonal, anëtarësimi në NATO dhe në BE janë fushat në të cilat do të angazhohem më së shumti. Këto janë edhe aspiratat e vetë qytetarëve të Kosovës, që të jetojnë në dinjitet dhe prosperitet.Nuk ka dyshim që Kosova ka shënuar progres të madh në 8 vitet si shtet. Nënshkrimi dhe hyrja në fuqi e MSA-së, si dhe marrja e statusit të kandidatit për “Millennium Challenge Corporation” të Kongresit Amerikan janë konfirmim i këtyre të arriturave.Anëtarësimi i djeshëm në UEFA, ambiciet për medalje në Lojërat Olimpike, por edhe rekomandimi për liberalizim të vizave gjithashtu disa nga lajmet tjera të mira që po i përjetojmë apo që po i presim me padurim”.Si pjesë aktive e Koalicionit Global Kundër Terrorizmit, presidenti Thaçi tha se Kosova ka ndërmarrë hapa konkretë dhe do të mbetet e pakompromis në luftimin e këtij kërcënimi për tërë botën.Thaçi: “Angazhimi ynë ka qenë në fushën e sundimit të ligjit, por edhe në informimin e drejtë të qytetarëve”.Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova sot është faktor stabiliteti në rajon dhe shembull i bashkëpunimit dhe dialogut.Ai tha se ka mbështetur dialogun me Serbinë, si rrugë e vetme për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë, si dhe do të vazhdojë ta përkrah këtë proces edhe si President, sa herë të jetë e nevojshme.Thaçi: “Besoj që janë pjekur kushtet që i tërë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të kalojë në një nivel tjetër.Duhet të arrijmë një marrëveshje kornizë që do të trasojë rrugën për pajtimin e plotë mes dy shteteve dhe popujve”, ka thënë Presidenti Thaçi, duke shtuar se me shtetet tjera fqinje, Kosova ka marrëdhënie të shembullore.