"Panama Papers", Ismail Mulleti doli nga Shqipëria në mars, Assaf Halkin në shkurt
Biznesmeni shqiptar, Ismail Mulleti, i cili rezulton i përfshirë në skandalin e "Panama Papers" ka dalë nga Shqipëria në muajin mars.Policia shqiptare ka verifikuar menjëherë hyrje-daljet nga Shqipëria të Ismail Mulletit dhe shtetasit izraelitit , avokatit Assaf Halkin. Mulleti rezulton që të ketë dalë nga vendi në mars, ndërsa Halkin në muajin shkurt. Ata që të dy kanë realizuar shumë udhëtime nga dhe drejt Shqipërisë, shpesh dhe me avionë charter.Gjatë ditës së sotme Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet një njoftimi për mediat sqaroi se po bashkëpunon me institucionet e tjera ligjzbatuese “për të qartësuar situatën mbi përfshirjen e mundshme në cështjen “Panama Papers” të kompanive ose shtetasve shqiptarë apo të huaj që veprojnë në tregun financiar shqiptar”.Autoritetet shqiptare janë vënë në lëvizje për të shqyrtuar rastet e mundshme të kompanive që veprojnë në territorin e saj të cilat mund të rezultojnë të përfshira në cështjen “Dokumentat e Panamasë”"Zëri i Amerikës" shkruan se “Dokumentat lidhur me shoqëri apo persona nga Ballkani pritet të bëhen publike pas dy javësh, por një shkrim i gazetës izraelite “Haaretz”, ka zbuluar se avokati nga izraeli, Assaf Halkin, së bashku me Ismail Mulletin, biznesmen me emër në vitet ’90, janë së bashku me firmën kanadeze “Global Fluids International” pronarë të kompanisë GFI Technologies, e rregjistruar në vitin 2013 në ishullin Anguillas.”Më tej "Zëri i Amerikës" shkruan se pak muaj pas themelimit, GFi Technologies, në bashkëpunim me një shoqëri zvicerane, dhe ajo e sapokrijuar, fituan një prej koncesioneve më të përfolura, atë të ngjyrosjes së karburanteve, një sipërmarrje prej të paktën 150 milion eurosh që konsorciumi pritet të sigurojë përgjatë 10 viteve të kohëzgjatjes së kontratës. Pavarësisht kundërshtive të kompanive shqiptare të karburanteve, për shkak të kostove shtesë, qeveria e ish kryeministrit Berisha e miratoi koncesionin në javët e fundit të mandatit të saj të dytë. Vitin e kaluar GFI Technologies, ja shiti pjesën e vet të aksioneve shoqërisë zvicerane, duke mbajtur vetëm 0,07 përqind.