Papa Françesku konsideron idenë e një vizite në Greqi
Zyra e Shtypit në Vatikan ka komunikuar se Papa Francesku mund të vizitojë emigrantët që ndodhen në ishullin grek Lezbos më datë 15 prill. Lajmi është konfirmuar nga drejtori i zyrës së shtypit në Vatikan, Federico Lombardi si dhe nga përfaqësues të kishës greke. Megjitahtë, ata kanë theksuar se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar dhe se gjatë ditëve në vijim do të ketë një komunikatë përfundimtare."Papa Francesku mund të vizitojë Greqinë gjatë javës së ardhshme", është ky lajmi që vjen nga drejtori i zyrës së Shtypit në Vatikan, Federico Lombardi, i cili thekson se Papa po e konsideron idenë e një udhëtimi, pavarësisht se deri më tani nuk është vendosur ende asgjë. Në bazë të deklaratave paraprake, thuhet se destinacioni i saktë i Atit të Shenjtë, do të jetë ishulli Lezbos, ndërkohë që sipas parashikimit, vizita mund të kryehet më datë 15 prill.Lajmi i mundësisë së një vizite nga Papa Francesku në Greqi është konfirmuar edhe nga përfaqësues të kishës greke. Ata kanë deklaruar se në drejtim të tyre ka ardhur një kërkesë nga Vatikani ku thuhet se Papa ka planifikuar një vizitë humanitare që do të zgjasë për disa orë. Përfaqësuesit e Kishës greke thonë se e kanë pranuar me kënaqësi kërkesën e bërë nga Ati i Shenjtë, por nënvizojnë se vendimi përfundimtar i Vatikanit në lidhje me vizitën do të bëhet i ditur gjatë ditëve në vijim.Papa Francesku ka bërë thirrje edhe më herët për më shumë solidaritet ndaj emigrantëve. Edhe gjatë fjalimit të mbajtur në Bazilikën e Shën-Pjetrit gjatë festës së Pashkëve, ai kërkoi nga liderët botërorë që të tregoheshin mikpritës me qindra-mijëra azil-kërkues që largohen cdo ditë nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës./Oranews.tv/