Kamerat e sigurisë, Tahiri mbron ligjin por shton: Do reflektojmë

Një ditë pasi presidenti Nishani ktheu në Kuvend ligjin për masat shtesë të sigurisë publike, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaron se do të rishikojë ligjin.Nga qyteti i Lezhës Tahiri u shpreh: Presidenti ka ushtruar të drejtën e tij kushtetuese, ka shfaqur edhe disa rezerva të cilat kam shumë besim që bashkë me komisionin në parlament do i shohim. Nëse ka gjë për të reflektuar do reflektojmë. Në të kundërt do vazhdojmë me projektin që kemi nisur dhe që u miratua në parlament. Ne jemi shumë të hapur që çdo sugjerim të Presidentit të Republikës ta marrim parasysh në eventualitetin kur janë të arsyueshme dhe janë ligjore. Mezi pres të lexoj bashkë me ekspertët e Ministrisë po edhe me kolegë e deputetë në komision, sugjerimet e Presidentit për të parë çdo mundësi që të përmirësojmë projektligjin që kemi paraqitur në parlament. Ne mendojmë që ligji për sigurinë publike shton shumë kapacitetin e policisë së shtetit më së pari dhe pastaj të të gjithë institucioneve të tjera për ta bërë Shqipërinë më të sigurt. Kjo duke u kujdesur dhe për merakun e të gjithëve ata që mendojnë se cënohet privatësia. Sot që flasim të paktën në botën e zhvilluar nuk ka asnjë debat më nëse duhet të gjejmë balancë apo jo ndërmjet privatësisë dhe nevojës për siguri. Bota këto i ka zgjidhur me kohë dhe domosdoshmëria për t'i bërë qytetet më të sigurta sot është mbizotëruese duke garantuar dhe jetën private të gjithëkujt. Ju besoj e dini që në çdo vend të botës ka masa sigurie të shtuara, kjo për shkak luftës kundër terrorizmit por edhe për shkak të luftës kundër kriminialitetit të cilat qytetarët i mirëpresin. Ministri i Brendshëm ishte sot në përurimin e një zyre shërbimi për qytetarët në LezhëEdhe kryetari i grupit te LSI-se Petrit Vasili tha se ligji do shqyrtohet me vemendje: "Nuk kanë ardhur akoma në Kuvend arsyet e kthimit të ligjit nga ana e Presidnetit, do ti shqyrtojmë me shumë vëmendje. Kemi pas disa arsye që kishin të bënin, e kemi thënë dhe në atë kohë, faturën financiare që duhet të përballojë qoftë shteti apo biznesi privat për këtë çështje por dhe disa rezerva të tjera që ishin shprehur në atë kohë dhe nga Komisineri për të Dhënat Personale. por të shikojmë cilat janë arsyet."/Oranews.tv/