Credit Suisse dhe HSBC mohojnë përfshirjen në “Panama Paper’s”

Dy ndër kompanitë më të njohura financiare me bazë në Zvicër, “Credit Suisse” dhe “HSBC” kanë mohuar kategorikisht aludimet se ndihmonin klientët e tyre në mashtrimin fiskal, duke përdorur struktura të krijuara në Panama.Deklaratat vinë një ditë pasi u zbuluan dokumenta që dëshmonin përfshirjen e bankave ndërkombëtare në shfrytëzimin e strukturave të tilla për llogari të klientëve të tyre dhe që i dha zanafillën hetimeve në disa vende.Drejtori Ekzekutiv i “Credit Suisse”, Tidjane Thiam, deklaroi se banka e tij është plotësisht në përputhje me ligjin.Ndërkohë që kreu i kompanisë ndërkombëtare të investimeve "Henderson" analizoi situatën, duke theksuar se nuk ka asnjë fakt që vërteton lidhjen e "Credit Suisse" dhe "HSBC" me skandalin në fjalë."Për momentin nuk ka prova që dokumentojnë lidhjen e “Credit Suisse” dhe “HSBC” me veprimet e paligjshme në Panama, por sigurisht situata e krijuar do të ndikojë në reputacionin e tyre. Në lidhje me dosjet e Panamasë mendoj që është një çështje e cila duhet të përfshijë autoritetet shtetërore, pasi autoritetet që kontrollojnë taksat e kanë të vështirë të veprojnë ndërkombëtarisht"- u shpreh kreu i kompanisë "Henderson".“Credit Suisse” në vitin 2013 pranoi ti paguante qeverisë amerikane një gjobë prej 2.5 miliard dollarësh, pasi  ndihmonte miliarderët amerikanë të shmangnin taksat, gjithashtu edhe “HSBC” në vitin 2012 i pagoi SHBA 1.9 miliardë dollarë pasi kishte lejuar pastrimin e parave të bosëve meksikanë të drogës.