Hungaria dhomë tregtie në Tiranë, Ader: Jemi avokat për integrimin, 20 bursa për studentë shqiptarë
Në Tiranë ndodhet sot për një vizitë Presidenti i Hungarisë, Janos Ader, i cili ka zhvilluar një takim me homologun e tij shqiptar Bujar Nishani. Gjatë konferencës për shtyp, kreu i Shtetit shqiptar tha se kishin nënshkruar disa marrëveshje.Nishani: Mbetet të punohet më shumë për të nxitur strukturat midis vendeve tona për të thelluar këtë bashkëpunim. Përshëndeta vendimin e Hungarisë për të hapur dhomën tregtare hungareze në Tiranë dhe kjo do të realizohet së shpejti, duke kontribuar në rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve tona.Presidenti tha se bashkëpunimi mund të rritet edhe në fusha të tjera si në turizëm, bujqësi.Nishani bëri me dije gjithashtu edhe nënshkrimin e programit të bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e shkencës dhe arsimit për periudhën 2016-2018.Nishani: Pritet që ky program do t’i japë një nxitje të re bashkëpunimit në këtë kuadër përmes mbështetjes së studentëve dhe punonjësve shkencorë të dy vendeve tona për të studiuar në vendet respektive.Presidenti hungarez tha se qeveria ka vendosur të japë 20 bursa për studentët shqiptarë që do të studiojnë në Hungari.Ader: Ata që studiojnë në Hungari besoj se do të kthehen në Shqipëri për të vënë në punë dijet e tyre.Duke u ndaluar tek zhvillimet rajonale, Nishani tha se vlerëson rolin e Hungarisë në kuadër të grupit të vendeve të Vishengradit.Presidenti i Hungarisë theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.Ader: Për sa i përket integrimit evropian të Shqipërisë, Hungaria do ta mbështesë këtë proces, e ka mbështetur në të kaluarën dhe do ta mbështesë në të ardhmen. Ju siguroj që do të jemi avokatë të mirë të Shqipërisë.Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, ai theksoi bashkëpunimin në fushën e energjetikës.Ader: Folëm për menaxhimin e ujërave në Shqipëri dhe përvojën e madhe të Hungarisë në këtë drejtim. Përmendën këtu edhe përmbytjet me të cilat është ndeshur Shqipëria. Hungaria ka dhënë ndihmën e saj dhe mund t’ju japë përvojën në këtë drejtim./Ora News/