Reforma në drejtësi, Paloka: Të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese
Pasi u thye afati i parë që ishte Marsi, reforma në drejtësi po përjeton një tjetër ngërç politik. Opozita është e vendosur ta përmbyllë këtë reformë sipas kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka.Por për të shkuar drejt finalizimit të kësaj rruge ai parashtron dy kushte që Paloka thotë se nuk janë të Partisë Demokratike, por detyrime kushtetuese.Edi Paloka: Kemi bërë të qartë se pa u zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pa u zbatuar marrëveshja e dhjetorit 2014 nuk mund të bëjmë hipokrizi dhe të luajmë sikur po bëjmë reformë në drejtësi. Janë detyrime kushtetuese që ka mazhoranca, jo kushte të PD.Edhe për leterkëmbimin mes Ramës dhe Bashës i cili nuk prodhoi asnjë rezultat, Paloka e ka një përgjigje.Edi Paloka: Nëse Rama kërkon të ulet në tryezë për të diskutuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese kjo nuk ka sens. Duhet të tregojnë që kanë vullnetin që janë dakort të zbatojnë vendimet, të zbatojnë ligjin dhe pastaj ne jemi të gatshëm. Jemi ne që kemi bërë ftesa. Mbi 30 ftesa ka bërë kryetari i PD-së.Një nga artikulimet e shpeshta të opozitës kanë qenë edhe zgjedhjet e parakohshme, por që sot Edi Paloka vlerëson se nuk varen nga opozita.Megjithatë ai është i bindur se me këtë Qeveri nuk mund të shkohet në zgjedhje.Edi Paloka: Me këtë qeveri ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje, situata vetëm është përkeqësuar. Megjithatë zgjedhjet e parakohshme ose jo nuk është se varen nga opozita. Me një qeveri që drejtohet nga dyshja Rama-Meta nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.Në fund ai parashtron edhe 4 pikat që do të zgjidhnin ngërçin dhe nuk do të shkelmonin negociatat me Bashkimin Europian.Edi Paloka: Janë disa pika që pa u realizuar jo vetëm integrim nuk mund të ketë, por nuk mund të ketë as një hap përpara Shqipëria. Zbatimi i vendimeve të gjykatave, zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe dialogu dhe konsensusi për reformën në drejtësi. Këto katër pika komisioneri Hahn i tha qartazi, duhet që mazhoranca të ketë veshë dhe të dëgjojë.Reforma në drejtësi është kushti kryesor që politika shqiptare duhet të përmbushë dhe për realizimin e të cilës është angazhuar edhe faktori ndërkombëtar.